Lidhje

Presidenti serb Tadiç shkon për fushatë në Cërrnicë


Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, tha sot se kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në fshatin Cërrnicë afër Gjilanit, fshat ky i banuar me pjesëtarë të komunitetit serb dhe shqiptarë.

Vizita e tij ishte pjesë e fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Serbi që do të mbahen më 3 shkurt. Ai kërkoi votën e qytetarëve serb të këtij fshati, duke u premtuar atyre se nuk do të heq dorë nga Kosova dhe serbët që jetojnë këtu, ndërsa u zotua se do të vazhdojë të kujdeset për ta edhe në të ardhmen. "Ju e dini mirë qëndrimin tim kur është fjala për pavarësinë e Kosovës. Unë kurrë absolutisht kurrë nuk do të pranojë kurrëfarë pavarësie të Kosovës. këtë duhet ta dini. Kurrë nuk do ta shtyjë vendin tonë në luftëra të reja. Gjithmonë pa u krusyer do të kërkoj një zgjidhje paqësore nëëprmjet bisedimeve. Nga ana tjetër gjithmonë duhet të llogarisim jo vetëm interesat shtetërore por edhe për njerëzi dhe jetët e tyre", tha zoti Tadiç.

Presidenti Tadiç, i falenderoi banorët serb të fshatit Cërnicë për siç tha ai, ruajtjen e kulturës dhe traditës serbe, duke nënvizuar se Serbia nëpërmjet qytetarëve të saj do të vazhdojë të mbetet në Kosovë. "Unë dhe njerëzit tanë nuk do të heqim dorë kurrë nga Kosova dhe unë do të bëjë gjithëcka që të mbesim këtu, që Serbia të mbetet këtu", shtoi presidenti Tadiç.

Presidenti aktual serb, i cili është kanidat i Partisë Demokratike në zgjedhjet presidenciale në Serbi ka vizituar Kosovën me lejen e adminisstratës së kombeve të Bashkuara në Kosovë. Tri javë më parë Kosovën e vizitoi edhe kandidati i Partisë Radikale Serbe, Tomisllav Nikoliç, duke bërë zotime të ngjashme kundër paavrësisë së Kosovës.

Zgjedhjet e së dielës në Serbi vlerësohen me rëndëisi thelbësore për orientimin politikë të Beogradit. Udhëheqësit e institucioneve në Kosovë kanë tërhequr vërejtjen se, siç thuhet, zhvillimet në Serbi nuk do të ndikojnë në procesin e zgjidhjes së statusit përfundimtar të vendit. Ata kanë përsëritur qëndrimin se vendimi për zgjidhjen e statusit politik do të merret në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Institucionet e Kosovës thonë se janë duke bërë përgatitjet për shpalljen e pavarësisë, por edhe për t'u përballur me sfidat që mund të pasojnë këtë vendim. //rd//

XS
SM
MD
LG