Lidhje

Parlamenti shqiptar bashkon energjitë për reformat e kërkuara nga NATO


Parlamenti shqiptar priti me entuziazëm sinjalet shpresëdhënëse që erdhën dje nga NATO për një ftesë të mundshme drejtuar Shqipërisë për antarësim në Samitin e ardhshëm të Aleancës.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme, Ilir Meta, mori pjesë me kryeministrin Sali Berisha dhe nënkryetarin socialist të parlamentit, Ylli Bufi, në takimin me ambasadorët e NATO-s.

“Në NATO ka një atmosferë mikpritëse për Shqipërinë, por gjicka do të varet nga përmbushja e atyre angazhimeve që pala shqiptare, sidomos kryeministri Berisha, bënë edhe gjatë këtij takimi për reformat zgjedhore dhe ato në sistemit në drejtësi” - tha zoti Meta.

Si rrallë ndonjëherë, qarqet politike shqiptare janë mbështjellë nga një atsmosferë e ngrohtë bashkëpunimi, në këtë stinë të ftohtë dimri, ku nuk mungojnë as deklaratat e kujdesshme për marrëdhëniet mes pozitës dhe opozitës.

Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, ftoi maxhorancën që të pranojë paktin e paraqitur nga opozita për reforma në drejtësi, dhe jo të përgatisë një projekt tjetër.

“Mesazhet që dha dje sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Shefer, duhet të jenë një moment reflektimi edhe për maxhorancën. Ne duam që të ecet shpejt me paktin e propozuar për drejtësinë nga opozita, dhe të procedohet kështu jo vetëm për këtë reformë, por edhe për të tjerat. Nuk kemi pse hyjmë në garë se kush e sjell këtë apo atë projekt, apo të xhelozohemi për autorësinë se kush e bëri i pari këtë apo atë projekt” - tha zonja Leskaj.

Deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s shihet si një nxitje e madhe për punë dhe rezultate të dukshme edhe nga Partia Demokratike.

Aleksandër Biberaj, një nga deputetët dhe antarët e kryesisë së saj, thotë se bashkëpunimi me opozitën për reformat është i rëndësishëm dhe nuk bëhet fjalë për një garë platformash.

“Jo. Nuk jemi në një garë projektesh. Ne kemi përshëndetur paktin për drejtësinë e paraqitur nga kryetari i PS, Edi Rama. Të drejtën për të paraqitur dokumenta e ka cdo parti tjetër dhe grupet parlamentare. Të gjitha projektet do të shqyrtohen dhe do të arrihet në versionin më të mirë të mundshëm për sistemin e drejtësisë. Më e rëndësishmja është shprehja e vullnetit politik, i cili ka munguar për një kohë të gjatë” - tha zoti Biberaj.

Komisionet e Parlamentit janë duke diskutuar disa nga propozimet për reformat zgjedhore dhe ato në fushën e drejtësisë. Shpresa për të marrë një ftesë antarësimi nga NATO i ka tunduar të gjitha palët për të punuar së bashku, dhe për të arritur një rezultat të dukshëm në politikën e jashtme, ose së paku për të mos u shfaqur si pengues në këtë process integrimi.//lk

XS
SM
MD
LG