Lidhje

Turizmi në Nju Jork rritet me shifra rekord


Në një raport të fundit thuhet se turizmi në New York për vitin 2007 u rrit me 6 %. Përafërsisht 8.5 milion vizitorë ishin të huaj, megjithëse udhëtimet ndërkombëtare në destinacione të tjera në Amerikë pësuan rënie. Dobësimi i dollarit e bëri këtë qytet një destinacion tërheqës për shumë turistë të huaj.

Një raport i publikuar këtë muaj nga zyrtarë të turizmit të New York-ut bën të ditur se një numër rekord turistësh vizituan qytetin në vitin 2007. Gjatë vitit të kaluar, më shumë se 46 milion njerëz kaluan pushime atje duke shpenzuar 28 miliard dollarë.

New York City and Company, zyra e qeverisë lokale të qyetetit për këtë fushë, tha se numri i përgjithshëm i ushëtarëve të huaj u rrit rreth 20 % në 2007.

Shumë turistë të huaj zgjodhën New York-un për të vizituar, qytetin më të shtrenjtë të Shteteve të Bashkuara, sepse dobësimi i dollarit bëri që hotelet, ushqimi, argëtimet të ishin më të përballueshëm.

Christopher Heywood, Drejtor i Marrëdhënieve për Shtypin dhe Turizmin për New York City and Company tha se evropianët kanë një avantazh special.

“Kemi parë një rritje të madhe nga tregjet evropiane si rezultat i vlerës së ulët të dollarit. Kemi parë rritje të turizmit veçanërisht nga vende si Britania e Madhe me 25 %, Spanja me 37% dhe Italia me 36%.”

Zoti Heywood tha se turistët e huaj janë veçanërisht të rëndësishëm në industrinë e turizmit të New York-ut, sepse ata qëndrojnë në qytet për kohë më të gjatë dhe shpenzojnë më shumë të holla se një turist i zakonshëm amerikan.

“Një nga motivet që sjell turistë në qytet është që njerëzit kanë dëshirë të shkojnë në dyqanet e qytetit të New York-ut. Është e vërtetë që evropianët vinë këtu me një valixhe dhe largohen me dy ose tre. Këtu ata munden që të kursejnë në mënyrë të konsiderueshme. Dhe ata blejnë markat e njohura amerikane. Ata frekuentojnë dyqane si Abercrombie dhe Fitch, ata blejnë në dyqanin e bizhuterive Tifani, pantallona xhins Lewis, Apple i-Pods”.

Turizmi është një nga industritë më të rëndësishme të qytetit të New York-t. Por vizitat në qytet pësuan rënie pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001.

Vitet e fundit, Kryetari i Bashkisë së New York-ut, Michael Bloomberg, është përpjekur në mënyrë aktive për të tërhequr përsëri vizitorë në qytet. Një fushatë globale promovuese e quajtur “Ky është qyteti i New York-ut”, tha se qyteti është më i sigurtë, më i pastër dhe më energjik.

Njëkohësisht, New York City and Company hapi dhe 9 zyra të tjera ndërkombëtare në vitin 2007, duke përfshirë zyra në Rusi, Kinë, Brazil dhe Korenë e Jugut. Zoti Heywood tha se tani janë 16 zyra turizme rreth e qark botës.

“Qyteti i New York-ut gjithmonë ka qenë një nga destinacionet më tërheqës në botë. Është një destinacion global. Është gati traditë për të huajt që kur vinë në Shtetet e Bashuara të shkojnë në New York.”

Vizitorët nga Britania ishin më të shumtët që vizituan New York-un gjatë vitit të kaluar, të ndjekur nga Kanadezë dhe Gjermanë.//kk//

XS
SM
MD
LG