Lidhje

Xhonson: Udhëheqësit e Kosovës duhet të tregojnë se janë të aftë të drejtojnë vendin


Ndërsa Kosova po përgatitet për shpalljen e pavarësisë, vëmendja gjithnjë e më shumë po përqëndrohet tek zhvillimet që do të pasojnë. Studjuesi Ros Xhonson pranë Qendrës Udro Uilson thekson se, ndërsa pavarësia e Kosovës do të jetë e shpejtë, e pasuar me njohjen nga Shtetet e Bashkuara dhe vende kryesore evropiane, Kosova përballet me probleme të mëdha ekonomike dhe udhëheqësit e saj duhet të tregojnë se janë të aftë të drejtojnë vendin e tyre.

Zëri i Amerikës: Zoti Xhonson, këtë të dielë në Serbi zhvillohet balotazhi. Sa të rëndësishme janë këto zgjedhje për Kosovën. ndërkohë që, nga njëra anë pritet që Prishtina të shpallë pavarësinë shpejt pas këtyre zgjedhjeve dhe nga ana tjetër dy kandidatët në këto zgjedhje u shprehën se kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovë.

Ros Xhonson: Zgjedhjet e Serbisë të dielën natyrisht që janë kryesisht të rëndësishme për Serbinë lidhur me kursin që do të ndjekë ajo në të ardhmen dhe se sa do të përpiqet ajo të jetë pjesë e Evropës. Është e vërtetë që dy kandidatët presidencialë dhe elementë të tjerë në arenën politike të Serbisë vazhdojnë të kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Mendoj se i rëndësishëm do të jetë qëndrimi që do të mbajë Beogradi pas zgjedhjeve dhe pas asaj që unë parashikoj se do të ndodhë shumë shpejt: pavarësisë së Kosovës. Sa më shumë të afrohet Serbia me Evropën dhe Bashkimin Evropian, aq më të mira do të jenë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, pra dua të theksoj se zgjedhjet e së dielës janë të rëndësishme, jo vetëm për Serbinë, por edhe për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Beogradi njoftoi kohët e fundit se ka një plan veprimi nëse Prishtina shpall pavarësinë. Flitet për një bllokadë ndaj Kosovës. Sa e efektshme do të ishte një bllokadë e Serbisë ndaj Kosovës dhe cilat do të ishin pasojat e saj.

Ros Xhonson: Nuk është e qartë se për çfarë bllokade të mundshme bëhet fjalë. Natyrisht që duhet pritur kundërshtim në qarqet politike dhe diplomatike, por jo bllokadë, sepse nuk mund të imagjinoj që Serbia të ndërpresë furnizimin me energji elektrike ose ujë të pakicës serbe në Kosovë. Si mund t’ia arrijë Serbia një gjëje të tillë; të ndërpresë furnizimin e popullatës shqiptare të Kosovës, por jo të popullatës serbe. Nëse Kosova përballet me ndërprerje serioze të furnizimeve të ndryshme, atëhere tregëtia dhe aspekte të tjera ndodhta do të realizohen nëpërmjet vendeve të tjera fqinje. Mendoj se këtu kemi të bëjmë më shumë me fjalë se sa fakte. Me rëndësi në këtë periudhë është se Kosova do të shpallë së shpejti pavarësinë, me disa kufizime të pranuara nga Prishtina, dhe ajo do të njihet nga Shtetet e Bashkuara dhe vende kryesore evropiane, të gjitha vendet e Grupit të Kontaktit, me përjashtim të Rusisë. Pres që kjo të ndodhë brënda një muaji pas zgjedhjeve të Serbisë. Disa vende të tjera do ta njohin pavarësinë e Kosovës pak më vonë e vende të tjera si Serbia vetë mund të presin për një kohë edhe më të gjatë. Ky nuk është rasti i parë që një shtet i ri nuk njihet nga të gjitha vendet e botës, madje mendoj se një Kosovë e pavarur mund të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, por jo në OKB për një farë kohe, e kjo për shkak të kundërshtimit të Rusisë.

Zëri i Amerikës: Dhe nëse kjo ndodh, dhe do t’i hidhnim një vështrim së kaluarës, cilat ishin sipas mendimit tuaj zhvillimet që bënë të mundur arritjen në këtë pikë dhe cilat janë sfidat më të vështira për Kosovën dhe popullatën e saj.

Ros Xhonson: Në se e hedhim vështrimin tek historia e Kosovës që nga vdekja e Titos, nga koha e Millosheviçit e të tjera, ne mund ta vëmë theksin në kohë të ndryshme, por mendoj se në Kosovë ka ekzistuar lëvizja për çlirimin kombëtar për një kohë të gjatë. Një politikë tjetër nga ana e Serbisë mund të kishte bërë të mundur arritjen e një zgjidhjeje kompromisi, duke njohur të drejtat e shumicës shqiptare të Kosovës, duke u afruar atyre diçka në vend të pretendimeve territoriale për Kosovën. Kjo nuk ndodhi. Shtypja e shqiptarëve të Kosovës nën regjimin e Millosheviçit, ndërhyrja ushtarake e NATO-s dhe lufta në Kosovë, bënë që shkëputja e Kosovës nga Serbia të ishte e pashmangshme. Kombet e Bashkuara u vunë në një pozitë që nuk duhet të ishin vënë, si një kujdestar pa fund për Kosovën. OKB-ja nuk ka qënë kurrë në atë pozitë dhe shpresoj të mos jetë kurrë më në atë pozitë. Ajo nuk i ka shërbyer as Serbisë e as Kosovës. Pas pavarësisë, Kosova përballet me sfida shumë të mëdha dhe udhëheqësit politikë duhet të përqëndrohen në problemet e Kosovës dhe jo në mosmarrëveshjet mes udhëheqësve të ndryshëm politikë. Problemet ekonomike janë të mëdha si dhe probleme të tjera, prandaj Kosova do të përballet me provën e vërtetë: udhëheqësit e Kosovës kanë thanë se janë të aftë të drejtojnë e administrojnë vendin, tani ata duhet ta provojnë këtë.

Zëri i Amerikës: Megjithëse për një kohë të gjatë pati negociata dhe përpjekje të njëpasnjëshme për arritjen e një kompromisi Prishtinë-Beograd, kjo kurrë nuk ndodhi. Si do t’u përgjigjeshit ju zërave se pavarësia e Kosovës do të krijonte një precedent në botë dhe vetë Kosova nuk mund të mbijetojë si një shtet i pavarur.

Ros Xhonson: Në Amerikë, ne kemi një proverbë që thotë se treni jo vetëm që është larguar nga stacioni, por po mbrrin në stacionin tjetër. Një argument i tillë është tepër i vonuar, edhe nëse në të kaluarën ka bërë kuptim. Tani jemi në një pikë, që kjo çështje është gati të zgjidhet. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po hartojnë pikat finale të pavarësisë së Kosovës. Çdo shtyrje, për mendimim tim, do të sillte paqëndrueshmëri. Shtyrjet nuk sjellin gjë. Dhe lidhur me pyetjen nëse pavarësia e Kosovës përbën një precedent, ndoshta po dhe kjo nuk do të thotë se është medoemos negative. Ne kemi shumë vende në botë që duken si artificialë, por ato, ashtu si edhe Kosova, duhet të provojnë se janë me të vërtetë vende, që mund të gëzojnë legjitimitetin e popujve të tyre, përndryshe nuk do të ekzistojnë për një kohë të gjatë. Dhe nëse Kosova është e pavarur apo jo, kjo ka shumë pak të bëjë me të ardhmen e këtyre vendeve. (ze)

XS
SM
MD
LG