Lidhje

Mitrovica - qyteti i ndarë


Ndërkohë që Kosova përgatitet të shpallë pavarësinë, popullata e saj mbetet e ndarë në vija etnike lidhur me këtë çështje. Shumica shqiptare është plotësisht në mbështetje të pavarësisë, ndërsa pakica serbe e kundërshton me forcë atë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Barry Wood shkoi në qytetin e ndarë të Mitrovicës për të biseduar me banorët dhe për të marrë mendimin e tyre për pavarësinë.

Mitrovica, e cila ndodhet rreth 40 kilometra në veri të kryeqytetit, Prishtinë, ekziston falë industrisë minerare. Minierat e saj të plumbit dhe furnaltat dikur ishin më të mëdhatë në Evropë dhe punësonin 25 mijë vetë, si shqiptarë edhe serbë. Trepça, e cila ka rënë në amulli që në vitin 1999, është e mbytur me borxhe dhe në pronësi të diskutueshme.

Administratori i OKB-së, Gerard Galluci, thotë se papunësia në Mitrovisë është 65 për qind. "I sheh njerëzit që mbushin kafenetë, shumë prej tyre të rinj, pa asnjë perspektivë për punë. Ka edhe të moshës së mesme apo të moshuar, të cilët dikur sillnin në familje rroga që siguronin jetesën. Tani ata mbahen me ç’të mund të gjejnë".

Kryetari i Bashkisë së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, shpreson se Trepça mund të kthehet në jetë në një farë mënyre. Të papunët vijnë tek ai për të kërkuar punë. "Duan punë, por nuk është kollaj. Po përpiqemi të përgatisim një mjedis të përshtatshëm për investime".

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe tërheqjes së trupave serbe, Mitrovica ka qenë e ndarë etnikisht përgjatë lumit që përshkon qytetin. Pakica serbe jeton në veri dhe shqiptarët në jug. Zoti Galluci thotë se qyteti mbetet një pikë e nxehtë tensionesh etnike. "Të gjithë këtu kanë armë, si në veri dhe në jug. Është një realitet tragjik që këtu ekzistojnë armë të mjaftueshme për të filluar një luftë tjetër".

Trupat franceze dhe trupa të tjera të NATO-s patrullojnë Mitrovicën duke ruajtur paqen e brishtë. Shqiptarët dhe serbët nuk kanë thuajse asnjë kontakt me njëri-tjetrin.

Bojan Vasiç, student për drejtësi në Universitetin e Veriut të Mitrovicës në gjuhën serbe, është kundër pavarësisë. Por ai nuk parashikon trazira në veri. "Nuk parashikoj trazira këtu pasi njerëzit thjesht nuk do ta njohin pavarësinë. Të gjithë do të sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë e re". Babai i Bojanit dikur kishte një punë të mirë në Trepçe. Tani ai përpiqet të nxjerrë para duke marrë ndonjë punë si kopshtar.

Deri tani askush nuk ka arritur të tërheqë investime në Mitrovicë për të krijuar vende pune. Kjo ushqen shqetësimin se kjo popullatë e papunësuar mund të bëhet kollaj pré e emocioneve nacionaliste. //rd//

XS
SM
MD
LG