Lidhje

Rezultatet që priten nga ulja e interesave në tregun amerikan


Vendimi i Bankës Qendrore amerikane këtë javë për uljen e interesave afatshkurtër në 3 për qind, ishte ulja e dytë e interesave në 8 ditë. Ky veprim synon të nxisë konsumatorët të marrin më shumë kredi dhe të rigjallërojë tregun e aksioneve. Por specialistët thonë se rreziku i uljes së nivelit të interesit, shkakton inflacion: kostoja e jetesës rritet dhe bie vlera e dollarit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Weaver bisedoi me një specialist në tregun e aksioneve dhe me një ekonomist në Nju Jork, lidhur me rezultatin që mund të kenë këto masa si në Shtetet e Bashkuara, edhe jashtë vendit.

“Hedhja e më shumë parave në treg nxjerr nga shishja djallin e inflacionit. Dhe me të ndodhur kjo, është shumë e vështirë, dhe madje e dhimbshme të vihet përsëri nën kontroll”. Thomas Cooley është profesor i ekonomisë në Universitetin e Nju Jorkut dhe dekan i fakultetit të biznesit. “Masat e fundit ua bëjnë më të lehtë konsumatorëve të marrin kredi qoftë për shtëpi ose shpenzime të tjera ose të rinegociojnë interesat e kredive të vjetra të shtëpive”.

"Në se tregu nuk rigjallërohet pas këtyre uljeve të mëdha të interesit, atëhere çfarë do ta rigjallërojë atë? Realiteti është se asgjë tjetër nuk mund ta bëjë këtë. Dua të them se këto janë masa të dëshpëruara". Pronari i një fondi investimesh, Patrick D’Angelo, është më pesimist, si për tregjet financiare, edhe për ekonominë në tërësi. "Nuk është aq e rëndë sa edhe periudha e depresionit, por mendoj se do të ketë një periudhë të gjatë ngadalësimi, do të thoja, për 3 deri 5 vjet. Dhe arësyeja që e them këtë është se gjithshka do të bazohet tek tregu i shtëpive dhe kriza financiare që po përjetojmë. Bankat tani për tani nuk janë dhe aq në gjendje falimentimi, por kanë një numrë të madh sfidash".

Zoti D’Angelo thotë se kërkesat për të marrë hua për shtëpitë janë forcuar kaq shumë tani, saqë edhe ritmi i ulët i interesit, nuk mund ta zgjidhë krizën e pasurive të patundshme. Ai është i të njëjtit mendim me profesor Cooley-in, se problemet e bankave të mëdha amerikane janë zgjidhur disi si rezultat i kapitali i ri të hedhur në treg, por Evropa, shton ai. mund të goditet nga e njëjta gjendje së shpejti. "Shumica e institucioneve financiare në Shtetet e Bashkuara janë mjaft të fuqishme. Por ne mundet të përballemi me më tepër probleme në Evropë dhe në vende të tjera, ku shumë prej bankave nuk kanë të njëjtin kapital si ato amerikane. Unë personalisht mendoj se Shtetetet e Bashkuara ndodhen tani në një pozicion më të mirë se shumica e vendeve të Evropës Perëndimore. Mendoj se më pas situata do të jetë problematike në Evropën Perëndimore. Ndoshta Britania nuk do të jetë dhe aq keq, por Gjermania, Italia, Franca, Spanja, Portugalia dhe i gjithë komuniteti evropain ndodhet tani në vështirësi. Dhe ndoshta njerëzit nuk po e venë këtë re tani.

Në se ka ngadalësim në Shtetet e Bashkuara, atë do ta ndjejnë gjithashtu vendet në zhvillim, veçanërisht partneri më i madh tregtar i Shteteve të Bashkuara, Kina. India nga ana tjetër, do të përfitonte, sipas profesor Cooley-t, në se kompanitë amerikane eksportojnë më tepër vende pune, si reagim ndaj ngadalësimit ekonomik në vend. //rd//

XS
SM
MD
LG