Lidhje

Politikanët shqiptarë e serbë debatojnë të ardhmen e Kosovës


Udhëheqësit politik të shqiptarëve të Kosovës u kanë bërë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb që të mos kenë frikë nga e ardhmja e vendit dhe të bëhen pjesë e procesit politik, ndërsa përfaqësuesit e këtyre të fundit kanë nënvizuar se pavarësia e vendit është e papranueshme për ta.

Në dy debate të ndara të organizuara nga Projekti për Marrëdhënie Etnike me seli në Shtetet e Bashkuara dhe Qendra mediale në Cagllavicë afër Prishtinës, përfaqësuesit politikë të të dyja komuniteteve diskutuan për zhvillimet e ardhshme kur pritet përmbyllja e procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Presidenti i vendit Fatmir Sejdiu tha se pjesëtarët e komunitetit serb duhet të jenë pjesë e këtij procesi politik. “Unë edhe njëherë përsëris ftesën tonë dhe do të jetë ftesë në vazhdimësi dhe nuk do t'i vihet pikë, që pjesëtarët e komunitetit serb që janë këtu bashkë me ne, por edhe të tjerë të jenë transmetues dhe personazhe aktive në jetën politike dhe jetën institucionale të përgjithshme të Kosovës", tha presidenti Sejdiu.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se qeveria e tij është e përkushtuar për integrimin e të gjitha komuniteteve dhe posaçërisht të komunitetit serb. Ai përsëriti zotimin për përmbushjen e propozimit të zotit Ahtisaari i cili parasheh pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën, me një shkallë të lartë të vet administrimit për komunitetin serb.

Kryeministri Thaçi tha se përmbushja e këtyre zotimeve nënkupton pjesëmarrjen e pjesëtarëve të komunitetit serb në institucionet e sistemit. “Askush në Kosovë apo jashtë saj nuk duhet të ketë frikë nga zgjidhja e statusit politikë të Kosovës. përkundrazi vendimi për status do të reflektojë paqe e stabilitet dhe bashkëpunim për rajonin", tha kryeministri Thaçi.

Përfaqësuesi i Listës serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, tërhoqi vëmendjen se siç tha statusi nuk i zgjidh të gjitha telashet dhe se vendimi për të është jashtë mundësive të serbëve dhe shqiptarëve, meqë sipas tij për këtë vendosin fuqitë e mëdha. “Këtë vendim u pajtuam apo jo do të detyrohemi ta pranojmë”, tha Oliver Ivanoviç duke u bërë thirrje udhëheqësve politikë që të punojnë në terren për zgjidhjen e problemeve konkrete përfshirë edhe procesin e decentralizimit të pushtetit në Kosovë. Ai tha se udhëheqësit shqiptarë duhet të tejkalojnë hendekun ndërmjet deklaratave e ideve të mira dhe zbatimit të tyre. “Unë ju lus që në këtë kuptim të dërgoni porosinë se statusi do të ndodhë kur të ndodhë dhe deri atëherë por edhe pas tij serbët nuk kanë arsye të brengosen për sigurinë e tyre. Bashkë me KFOR-in dhe UNMIK-un do të mund të arrini të zvogëloni numrin e serbëve që largohen nga Kosova”, tha zoti Ivanoviç.

Afrimi i vendimit për statusin e Kosovës ka shtuar shqetësimet për reagimin e pjesëtarëve të komunitetit serb, posaçërisht në veriun e saj të banuar me shumicë serbe. Përfaqësuesi i Këshillit Kombëtar serb Nebojsha Joviç, tha sot se pavarësia është tërësisht e papranueshme. Ai tha se rrëfimet për shkëputjen e veriut të Kosovës janë të paqëndrueshme, meqë siç u shpreh ai veriu nuk ka nevojë të shkëputet për t'u bashkuar me Serbinë, sepse është pjesë e saj. “Është e pamundur që pavarësia e Kosovës të zbatohet në veriun e Kosovës, por nuk guxojmë të bëjmë asgjë që do të vinte në rrezik popullin serb në jug të lumit Ibër. Çdo vendim do të merret ne bashkërendim me pjesët e banuara me popullatën serbe në pjesën tjetër të Kosovës”, tha Nebojsha Joviç.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve thanë ndërkaq se pavarësia e Kosovës është çështje e padiskutueshme dhe ajo do të ndodhë në bashkërendim me komunitetin ndërkombëtarë, në radhë të parë me Shtetet e bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Një vendim më i qartë ndërkaq nuk mund të pritet para përfundimit të procesit të zgjedhjeve presidenciale në Serbi të cilat mbahen të dielën me 3 shkurt. Në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve, pjesa më e madhe e pjesëtarëve të komunitetit serb kanë votuar për kandidatin e Partisë Radikale serbe Tomislav Nikoliç. //rd//

XS
SM
MD
LG