Lidhje

Serbi: Mbyllet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale


Serbët votuan për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ku përballë ishin Presidenti properëndimor, Boris Tadiç dhe rivali i tij nacionalist Tomislav Nikoliç. Më shumë se 64 përqind e serbëve me të drejtë vote dolën në zgjedhje. Të dy kandidatët janë shprehur kundër pavarësisë së Kosovës. Raundin e parë të zgjedhjeve e fitoi zoti Nikoliç me 40 përqind të votave ndërsa zoti Tadiç mori 35 përqind.

Në shoqërimin e pjestarëve të familjeve, Presidenti Boris Tadiç dhe rivali i tij, nënkryetari i Partisë Radikale Serbe, ultranacionalisti Tomislav Nikoliç e hodhën votën në qendra të veçanta votimi.

Në komentet e tij, zoti Tadiç u tha gazetarëve se ishte shumë optimist përsa i përket rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. "Jam plotësisht i sigurt se do të kemi një pjesmarrje shumë të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje dhe jam po aq i sigurt se pas zgjedhjeve do të marrim drejtimin për në Bashkimin Europian," tha zoti Tadiç.

Ndërsa kandidati rival, Nikoliç deklaroi pas votimit se “pret ndryshime të mëdha në Serbi”. "Sonte, kur të mbyllen qendrat e votimit, pres të shikoj se nuk do të ketë probleme dhe se Serbia do të ketë treguar përsëri fytyrën e saj demokratike,” u tha zoti Nikoliç gazetarëve. "Serbia është e uritur për ndryshime dhe unë jam gati të ve në jetë ndryshimet,” shtoi kandidati ultranacionalist.

Kjo garë e paparashikueshme vuri përballë pro-perëndimorin Tadiç ndaj zoti Nikoliç, i cili ka qenë në pushtet bashkë me Millosheviçin gjatë luftrave të përgjakshme ballkanike të viteve 90.

Pritet që rezultati të jetë mjaft i ngushtë.

Rezultati i zgjedhjeve do të vendosë gjithashtu se si do të reagojë Serbia ndaj deklaratës së pritëshme të pavarësisë nga ana e Prishtinës si dhe për çështjen e arrestimit të personave të akuzuar për krime lufte.

Fituesi i zgjedhjeve mund të përcaktojë nëse Serbia do të ecë në rrugën e reformave properëndimore apo do të kthehet në vetizolim si në kohën e Millosheviçit.

Të dy kandidatët janë shprehur kundër pavarësisë së Kosovës por zoti Tadiç e ka përjashtuar përdorimin e forcës dhe mendohet se do të përpiqet të forcojë marrëdhëniet me Bashkimin Europian dhe me Shtetet e Bashkuara edhe nëse ato e njohin pavarësinë e Kosovës.

Ndërsa zoti Nikoliç ka thënë se Serbia duhet të heqë dorë nga kërkesa për anëtarësim në BE nëse Europa e mbështet deklaratën e pavarësisë.

Nikoliçi ka qenë zëvendëskryeministër gjatë luftës së Millosheviçit në Kosovë. //ii

XS
SM
MD
LG