Lidhje

David Binder: Rusia jo gjithmonë ka vepruar në interes të Serbisë


Korrespondenti i New York Times-it, David Binder, ka një përvojë më se 40-vjeçare pranë kësaj gazete me emër. I specializuar për çështjet e Gjermanisë dhe të Ballkanit, zoti Binder ka raportuar nga Boni, Beogradi dhe Berlini. Por njoftimet e tij nga lufta në Jugosllavi mes viteve 1991 dhe 95 nuk kanë kaluar pa polemika. Gazetari 71-vjeçar në pension i dha këto ditë një intervistë koleges sonë Ivana Kuhar.

Gjatë gjithë karrierës së tij 40 vjeçare, korrespondenti i Nju Jork Tajmsit për Europën, David Binder ka qenë dëshmitar okular i historisë: ai ka parë grushtin e hekurt të regjimeve komuniste dhe shkatërrimin e tyre, ka parë rënien e Murit të Berlinit, ngritjen e Europës dhe pa dyshim edhe luftën në ish Jugosllavi, për të përmendur disa nga ngjarjet e mbuluara prej tij.

Zoti Binder filloi të raportonte nga Ballkani në vitin 1963, duke e pasuruar mjaft dijen e tij për këtë rajon. Dhe, karriera e tij si gazetar përfundoi gjithashtu në Ballkan. Disa nga shkrimet e tij të viteve 90 që përshkruanin shpërbërjen e Jugosllavisë janë bërë shkas që ai të akuzohet se mbante anën e Serbisë: “Akuzohesha se qendroja në anën serbe. Mendimi mbizotërues në Perëndim se kush kishte të drejtë dhe kush jo në këto luftëra civile që filluan mes Serbisë dhe Kroacisë e që vazhduan me Bosnjen, ishte se serbët ishin të gjithë të këqinj kurse të tjerët të gjithë të mirë. Qendrimi im ishte ky: ndonëse serbët kishin faj për disa gabime politike dhe disa krime ushtarake, ata nuk qenë të vetmit që kishin bërë krime”, thotë Binder.

Në një artikull të vitit 1994, zoti Binder e quante shefin e ushtrisë së serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladiç një “profesionalist të shkëlqyer”. Dihet se Mlladiçi është akzuar nga Gjykata e Hagës për gjenocid dhe spastrim etnik, duke përfshirë masakrimin e të paktën 7,500 meshkujve myslimanë të Srebrenicës në vitin 1995. Ai është ndër personat kryesorë të kërkuar për krime lufte që lidhen me konfliktin e Bosnjes.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zoti Binder e pranon se tani ai nuk ka po atë mendim për Mlladiçin. Ai shpreh habi se si ky gjeneral, për të cilin thotë se është “njeri me merita ushtarake”, nuk u dorëzua për t’u gjykuar së bashku me oficerët e tij:“E marr me mend se Mlladiç mendonte dhe mendon se gjyqi ndaj tij nuk do të ishte i drejtë. Pra, përse të dilte në një gjyq që nuk do ta trajtonte me drejtësi? Ky është shpjegimi im i vetëm,” thotë zoti Binder.

Zoti Binder e pranon se ka një afërsi të veçantë me popullin serb. Kjo, thotë ai, i ka rrënjët te një nocion romantik që i sheh serbët si luftëtarë të lirisë. I ati i tij, gjithashtu gazetar, pa me sytë e tij lindjen e komunizmit në Rusi dhe të nazizmit në Gjermani. Politika ishte në menynë e përditëshme të familjes Binder në Çikago, kur ai ishte djalë i ri: Kur filloi Lufta e Dytë Botërore, isha 8-9 vjeç dhe çdo gjë kundër Hitlerit për mua ishte pozitive. Më kujtohet një libër me karikatura që përshkruante se si çetnikët luftonin kundër ushtrisë pushtuese gjermane, Vermahtit dhe esesëve në Serbi. Me mendjen time thosha: “Interesant, këta janë të vetmit njerëz që po luftojnë kundër nazistëve! Dhe kështu më lindi interesimi për popujt në Jugosllavinë e pushtuar.”

Zoti Binder, i cili doli në pension në vitin 2004, jeton në Uashington por i viziton shpesh miqtë në Serbi. Ai shpreh keqardhje për mbështetjen e Perëndimit ndaj pavarësisë së Kosovës:“Për mua, Kosova mund të ketë një të ardhme të lumtur vetëm nëse ajo është në marrëdhënie respekti dhe përfitimi reciprok me Serbinë. Kosova gjithmonë ka qenë një vrimë e zezë nga pikëpamja ekonomike, ashtu është edhe tani. Nuk shikoj se si Kosova mund të jetë e pavarur dhe e lumtur me një fqinj armiqësor dhe të zemëruar”, thotë zoti Binder.

Rusia e mbështet këmbënguljen e Beogradit për të ruajtur sovranitetin ndaj Kosovës, diçka që e ka rritur popullaritetin e Moskës në Serbi. Zoti Binder thotë se nuk e alarmojnë zërat se Beogradi mund ta braktisë kursin pro-perëndimor që pretendon se ka nisur: "Serbët e dinë mirë historinë e tyre për të kuptuar se Rusia jo gjithmonë ka qenë miku i tyre më i dashur. Rusia ka qenë miqësore me ta vetëm kur kjo i interesonte politikës së Moskës. Kjo është e vërtetë edhe sot.”

Gazetari i njohur thotë se Bosnja është një shtet gjysmë jofunksional, ku tre grupet etnike kryesore nuk kanë një kauzë të përbashkët përveç dëshirës për të mos filluar përsëri luftën.

Zoti Binder thotë se është optimist që Shqipëria dhe Maqedonia do të hyjnë shpejt në NATO por përsa i përket anëtarësimit në Bashkimin Europian, atyre do t’u duhet të presin më gjatë.

Brukseli ka përsëritur shpesh se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të anëtarësohen një ditë në BE pasi të kenë realizuar reformat e nevojshme. Por zoti Binder thotë se Serbia është një rast i veçantë në rajon:

"Economikisht, Serbia e ka vendin në Bashkimin Europian, për këtë nuk ka dyshim. Politikisht nuk e di. Bashkimi Europian nuk ka qenë miqësor ndaj Serbisë, nuk është dhe mendoj se nuk do të jetë miqësor ndaj saj. Prandaj, ç’kuptim ka që serbët të trokasin në derën e tij kur dera është e mbyllur trefish? Po të isha serb, do të thosha: “Le të vijnë ata tek unë, tek dera ime. Le ta bëjnë ata ofertën.”

Përsa i përket ofertave të pazakonta të Brukselit me stimuj që Beogradi të fillojë procesin e anëtarësimit në BE, zoti Binder thotë:“Dakord, por pastaj dalin holandezët dhe thonë” ‘vetëm pasi të na dorëzoni Mlladiçin dhe Karaxhiçin’. Pra venë gjithfarë kushtesh”.

Po për vendet e tjera në rajon që kanë bërë përpjekje në këtë aspekt dhe që vërtet iu dha mundësia për ta filluar procesin e anëtarësimit, siç është Kroacia? Ky vend bëri lëshime në disa nga politikat e tij dhe bashkëpunoi për arrestimin e gjeneralit Gotovina, të akuzuar për krime lufte. “Po, pranon zoti Binder. Por Kroacia është ndryshe. Dhe ndryshe është rasti i Serbisë.” //IB

XS
SM
MD
LG