Lidhje

Obama, Klinton në betejën për delegatë


Gara e fortë presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të hyjë në një fazë të re të martën, me zhvillimin e zgjedhjeve paraprake në 20 shtete. Por ekspertët politikë thonë se për shkak të rregullave që ka Partia Demokrate për numërimin e delegatëve, do të duhet një farë kohe për të përcaktuar kandidatin fitues mes Hillary Clinton-it dhe Barack Obamës.

Para kuvendit të partisë në vitin 1988, sipas sistemit të Partisë Demokrate, fituesi i merrte gjithë votat e një shteti të caktuar. Në atë kohë Michael Dukakis fitoi ndaj Jesse Jackson-it, por zoti Jackson kërkoi që rregullat e partisë të ndryshoheshin, për të lejuar kandidatët të fitojnë delegatë në kuvend, pavarësisht se kush del fituesi.

Vëzhguesit politikë thonë se kjo është hera e parë që rregullorja e partisë po vihet në provë reale në këto 20 vjet, ndërsa senatori Barack Obama dhe senatorja Hillary Clinton janë të mbërthyer në një garë të ngushtë, që e bënë të vështirë përcaktimin e fituesit.

Tad Devine është një prej analistëve të Partisë Demokrate, i pa lidhur me ndonjë prej kandidatëve. "Në anën e republikanëve, ka të ngjarë që zoti McCain të dalë në krye, ndërsa kandidatët e tjerë nuk do të jenë në gjendje për ta ndjekur atë. Kjo nuk do të ndodhë në partinë tonë. Ne do të kemi një konkurrim të ashpër që do të vazhdojë përgjatë shkurtit deri nga fillimi i muajit mars", thotë analisti.

Zoti Devine përfaqësoi kandidatin Dukakis në vitin 1988 gjatë negocimit të rregullave të reja të Partisë Demokrate. Sipas sistemit proporcional, delegatët në kuvend ndahen mes dy kandidatëve që sigurojnë 30 përqind ose më shumë të votave. "Sistemi proporcional përbën një sfidë për të siguruar delegatë, sidomos kur ke dy kandidatë, si Obama dhe Klinton, me fonde të shumta elektorale, që kanë mbështetje të gjerë politike dhe mbështetje me grupe të ndryshme votuesish".

Në konstrast, Partia Republikane ka një numër shtetesh me sistemin “fituesi i merr të gjitha”. Në zgjedhjet paraprake të Floridas për shembull, senatori John McCain fitoi mbi 36 përqind të votës popullore dhe mori të gjithë numrin e delegatëve të këtij shteti.

Ish guvernatori i Massachusetts Mitt Romney fitoi 31 përqind të votave, por asnjë delegat. Në anën e demokratëve, zonja Clinton fitoi me 50 përqind votimin në Florida, pasuar nga Obama me 33 përqind. Por zonja Clinton nuk fitoi asnjë delegat, pasi partia e përjashtoi Floridën këtë vit, meqë ky shtet i zhvilloi votimet paraprake më herët se sa lejohet nga Komiteti i Partisë Demokrate.

Vëzhguesit politikë e pranojnë se ndryshimi i rregullave të caktuara nga secila parti mund të çojë në pështjellime. John Fortier është ekspert për zgjedhjet në Insitutin konservator American Enterprise në Washington. "Arsyeja kryesore për këtë ngatërresë është mungesa e një sistemi të centralizuar të zhvillimit të votimeve, madje që në zgjedhjet paraprake. Drejtuesit në nivel kombëtar të partisë, përpiqen të vendosin disa rregulla, por drejtuesit lokale në shtetem, kanë hapësira të gjera për të bërë atë që duan. I vetmi ndëshkim i vërtetë është që partia të mos i njohë rezultatet e votimit në një shtet, në se ai ai shkel rregullat dhe të mos pranojë delegatë në kuvend". Që tani kandidatët Clinton dhe Obama kanë mosmarrëveshje mbi Floridën. Zonja Clinton kërkon që delegatët e Floridës të shkojnë në kuvendin e partisë. Zoti Obama thotë se rezultati nuk duhet të merret në konsideratë, pasi kandidatët kishin ranë dakort që më parë të mos bënin fushatë në Florida. //rd//

XS
SM
MD
LG