Lidhje

Tom Lantosh: Zëri i fuqishëm në mbështetje të lirisë në botë


Pas tri dekash shërbimi publik, anëtari i njohur i Kongresit amerikan, Tom Lantosh, njëri nga mbështetësit e fuqishëm të të drejtave të njeriut, njoftoi se do të dalë në pension. Analistët thonë se demokrati Lantosh, kryetar i Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve, ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në përhapjen e lirisë në botë. Ivana Kuhar e Zërit të Amerikës përgatiti këtë portret të kongresmenit Lantosh i cili është i njohur gjithashtu si një nga mbështetësit e pavarësisë së Kosovës shumë kohë përpara se kjo çështje të merrte rëndësinë që ka sot në skenën ndërkombëtare:

“Komuniteti i të drejtave të njeriut i ka një borxh shumë të madh kongresmenit Lantosh, për përkushtimin e tij në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor,” tha Drejtorja Ekzekutive e organizatës Freedom House, Jennifer Windsor, pasi dëgjoi njoftimin e bërë nga kongresmeni i Kalifornisë. Kryetarja e kësaj organizate të njohur të të drejtave të njeriut shtoi se largimi i zotit Lantosh do të lerë një boshllëk mjaft të madh në Kongresin amerikan.

Si bashkëthemelues i grupit të Kongresit për të drejtat e njeriut në vitin 1983, Lantosh ka mbështetur ndihmën për ish vendet komuniste të Europës Lindore dhe të ish Bashkimit Sovjetik. Ai ka qenë një kritik i hapur i shkeljeve të të drejtave të njeriut në botë edhe kur zëri i tij ishte zë i pakicës së vogël.

Lantosh, mbështetës i palodhur i njerëzve të shtypur, nuk ka ngurruar të ndërmarrë hapa të pazakontë, kur ka qenë fjala për rrëzimin e tiranëve, thotë ish zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Palmer: "Ai ka qenë i gatshëm të takohet me udhëheqës të tillë si Gaddafi, të cilët janë jopopullorë dhe me të cilët është një risk të takohesh, risk në kuptimin e politikës së brendëshme amerikane. Tom Lantosh gjithnjë e ka kuptuar se sa rëndësi do të kishte hapja e këtyre vendeve dhe se një pjesë e kësaj hapjeje, e heqjes qafe të këtyre diktatorëve, ishte hyrja në këta vende. Ai ishte i gatshëm të rrezikonte emrin e tij personal duke u takuar me Gadafin, me udhëheqjen e Koresë së Veriut dhe me shumë të tjerë."

Charles Gati, profesor në Universitetin Johns Hopkins dhe mik i vjetër i tij, e ka shoqëruar zotin Lantos në shumë prej udhëtimeve të tij në botë. Ai thotë se bindjet e thella të kongresmenit e kanë zanafillën në përvojën e tij personale të jetës: "Vendi nga ai vjen është një përvojë e anti-totalitarizmit. Ai i urren me pasion diktatorët, urren njerëzit dhe politikanët që diskriminojnë të tjerët mbi bazën e racës, ngjyrës, origjinës ose fesë."

I lindur në Hungari në vitin 1920, Lantosh është i vetmi anëtar i Kongresit që i ka mbijetuar Holokaustit.

Ai imigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1947 si student pa asnjë para në xhep dhe arriti të lerë një gjurmë të pashlyeshme në politikën e jashtëme amerikane. Ai luajti një rol të jashtëzakonshëm drejtues si autor i shumë ligjeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kudo në botë. Charles Gati: "Ai është i jashtëzakonshëm si një kongresmen intelektual. Ndoshta pak njerëz e dinë por shpesh ai mungonte në aktivitetet e mbrëmjes që janë pjesë normale e jetës së kongresmenëve duke preferuar të shkonte në shtëpi për të lexuar një libër."

Palmer, ish ambasador amerikan në Hungari, thotë se një nga fitoret më të mëdha të zotit Lantosh, ka qenë heqja e telave me gjemba në kufirin mes Hungarisë dhe Austrisë: "Duke u shoqëruar shpesh me të, mund të them se momenti i tij më i madh ka qenë prerja e telave me gjemba në kufirin hungarez. Kjo është një copë teli me gjemba dhe Tom Lantosh mori pjesë në prerjen e tij në kufirin mes Hungarisë dhe Hungarisë."

Disa nga kritikët e zotit Lantosh thonë se angazhimi i tij në përhapjen e lirisë rrezikon stabilitetin gjeopolitik. Ai ka qenë vazhdimisht një mbështetës i palëkundur i aspiratave për vetvendosje në ish Jugosllavi.

Charles Gati thotë se nuk ishte zoti Lantosh që i përshpejtoi lëvizjet për pavarësi në Ballkan. Por ai thjesht ka qendruar në një hap me dëshirat e popujve për liri: "Shpërbërja e Jugosllavisë u bë nga populli i atij vendi. Nuk mendoj se njohja e Kroacisë nga Gjermania shumë vite më parë ose komentet e tij të herëpashershme mund të shihen si kontribute të rëndësishme. Ai thjesht u dha inkurajim popujve që dëshironin të çliroheshin, sidomos shqiptarëve të Kosovës."

Në janar 2003, Zoti Lantos së bashku me ligjvënësin Henry Hyde, paraqitën në Kongresin amerikan një projektrezolutë që bënte thirrje për pavarësinë e Kosovës. Po atë vit, në një seancë të Kongresit, zoti Lantos argumentoi se pavarësia e Kosovës do t’i shërbente paqes në rajon. “Për të arritur një paqe të drejtë dhe të qendrueshme në Europën Juglindore, në këtë rajon me trazira, ne duhet t’i japim Kosovës pavarësinë dhe duhet t’ja japim tani,” tha ai.

Palmer thotë se zoti Lantosh, ka qenë një nga të parët që e kuptoi se liria globale ishte ndër interesat e parë gjeopolitikë të Amerikës në botë: "Tom Lantosh beson se është në interesin tonë kombëtar dhe gjeostrategjik që liria të përhapet, që Kina, Rusia dhe vendet e Lindjes së Mesme të bëhen demokratike."

Familja luan një rol të jashtëzakonshëm në jetën e zotit Tom Lantosh. Gruaja e tij Anetë, të cilën e ka njohur 70 vjet më parë, ndan pasionin e tij për çuarjen përpara të lirisë në botë. 80-vjeçarin Lantosh dhe Anetën mund t’i shohësh çdo ditë tek ecin dorë për dore për në zyrën e kongresmenit.

Kryetari i komisionit të fuqishëm për punët e jashtëme, njoftoi se do të largohet kur atij t’i mbarojë mandati në janar të vitit 2009. Tom Lantosh ka njoftuar gjithashtu se po lufton me kancerin e ezofagut duke premtuar se sëmundja nuk do t’i ndalë përpjekjet e tij për lirinë në botë. //ii

XS
SM
MD
LG