Lidhje

SHBA dhe BE urojnë Serbinë dhe presidentin Boris Tadiç për fitoren në zgjedhjet e djeshme


Shtetet e Bashkuara përshëndetën fitoren e presidentit pro-perëndimor, Boris Tadiç në zgjedhjet e djeshme presidenciale të Serbisë.

Zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit Shan Mekormek, i uroi fitoren zotit Tadiç, duke thënë se zgjedhjet e djeshme ishin të rëndësishme për të ardhmen e Serbisë. Ai shprehu gadishmërinë e Uashingtonit për të vazhduar përpjekjet për vendosjen e marrëdhënieve produktive me Serbinë mbi çështje me interes të përbashkët.

I pyetur herë pas here rreth ndikimit të zgjedhjeve të Serbisë për Kosovën, zëdhënësi Mekormek ka thënë se politika amerikane lidhur me Kosovën nuk ka ndryshuar.

Edhe Bashkimi Evropian përshëndeti rizgjedhjen e presidentit Tadiç, duke thënë se kjo provon angazhimin e Serbisë për t'u integruar në Evropë.

Me anë të një mesazhi urimi, presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso, e cilësoi fitoren e djeshme të presidetit Tadiç si një fitore për demokracinë dhe vlerat evropiane.

Si Gjermania edhe Austria premtuan gjithashtu më shumë mbështetje për përpjekjet e Serbisë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ligjvënësit rusë me peshë thanë se fitorja e zotit Tadiç siguron vazhdimin e marrëdhënieve të mira dy-palëshe.

Presidenti pro-perëndimor i Serbisë Boris Tadic fitoi ndaj rivalit të tij ultra-nacionalist Tomislav Nikolic në raundin e dytë të zgjedhjeve me një ndryshim të vogël votash. (ze)

XS
SM
MD
LG