Lidhje

Bashkimi Evropian miraton vendimin për dërgimin e misionit në Kosovë


Ambasadorët e 27 vendeve të Bashkimit Evropian miratuan sot paraprakisht vendimin për dërgimin e një misioni policor dhe administrativ në Kosovë për të zëvendësuar misionin e tanishëm të Kombeve të Bashkuara.

Zyrtarët evropianë thonë se vendimi për kohën e saktë të dislokimit të misionit prej 1 mijë e 800 forcash nuk është marrë ende.

Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, e ka kundërshtuar ashpër këtë plan, duke thënë se misioni kërkon më parë miratimin e Këshillit të Sigurimit.

Kohët e fundit, ligjvënësit në Serbi bënë thirrje për hedhjen poshtë të një marrëveshjeje për marrëdhënie më të ngushta midis Serbisë dhe Bashkimit Evropian, nëse blloku evropian mbështet kërkesat e Kosovës për pavarësi.

Katër muaj bisedime me ndërmjetësinë e komunitetit ndërkombëtar midis udhëheqësve të Serbisë e atyre të Kosovës përfunduan nga fundi i vitit 2007 pa një marrëveshje, ndërkohë që Serbia këmbënguli në ruajtjen e sovranitetit mbi Kosovën. (ze)

XS
SM
MD
LG