Lidhje

Përpjekjet për të kontrolluar evazionin fiskal në ekonominë shqiptare


Drejtuesit e ekonomisë po përpiqen që të ulin sa më shumë që të jetë e mundur evazionin dhe informalitetin e bizneseve shqiptare, ndërsa studiuesit e ekonomisë nuk e fshehin skepticizmin për masat e reja.

Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se doganat dhe tatimet kanë mbledhur të ardhurat mbi 100 për qind për qind, ndërkohë që niveli i taksave është ulur ndjeshëm. “Rritja e të ardhurave tatimore me 19.6 % më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ndërkohë që niveli i taksave është ulur, dëshmon për dominimin mbi fenomenin e informalitetit dhe evazionit fiskal në administratën tatimore dhe doganore. Gjej rastin këtu për t’i bërë thirrje të gjithë komunitetit të biznesit që kostoja e të qenit formal është më e ulët se kostoja e të qenit informal. Prandaj ju kërkoj që të marr fund epoka e dy bilanceve dhe dy palë deklaratave dhe të mund të deklarohen konform ligjit” - tha zoti Bode.

Ndërkaq studiues të njohur të ekonomisë, vlerësojnë se megjithë përmirësimin e rezultateve në dogana dhe tatime, hapësirat e abuzimeve janë ende të mëdha.

Drejtuesi i Qendrës për Studime Ekonomike, Zef Preçi, thotë se informaliteti jo vetëm që nuk është dominuar, por ai lulëzon në një shkallë të gjerë. “Ekonomia shqiptare vazhdon të ketë një shkallë të lartë informaliteti. Mendoj se është për t’u shqetësuar përdorimi i instrumentave arbitrarë si cmimet e referencës në dogana që vazhdojnë prej 10 vjetëve, pagat e referencës, apo barazimi dhe kontrolli i normave të fitimit” - tha zoti Preçi.

Autoritetet e financave po zhvillojnë konsultime me përfaqësues të biznesit për rregullat e ekonomisë së tregut në përpjekjet për të zbuluar abuzimet dhe fitimet e fshehura, nga vetdeklarimet e falsifikuara. Ministri Bode tha se diferenca midis vetdeklarimit të fitimeve të bizneseve të ngjashme është shpesh disa herë më e madhe. “Ministria e Financave ka përgatitur një sërë projektesh për t’u lidhur dhe për të rënë dakord me shoqatat që secili të deklarojë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, për të mundësuar që lufta e konkurencës, gara në treg të jetë e ndershme dhe askush të mos ndihet në panik nga një falimentim apo gara që vjen për shkak të mosdeklarimeve. Për këtë arsye ne jemi duke biseduar dhe lidhur marrëveshje sipas shoqatave dhe degëve të biznesit dhe industrive të ndryshme që ekzistojnë në Shqipëri për të mënjanuar këtë panik që ekziston nga gara e pabarabartë në treg” - tha zoti Bode.

Por zoti Preçi thotë se masat shtrënguese kundër evazionit dhe informalitetit po përdoren në një mënyrë përzgjedhëse dhe po përdoren si instrument për rishpërndarjen e tregjeve fitimprurëse në favor të grupeve të caktuara të biznesit që qëndrojnë pranë qarqeve politike. “Mjafton të shihen struktura e kompanive dominuese në sektorë të ndryshëm biznesi për të vërtetuar ndikimet politike dhe favorizimet që u bëhen firmave me lidhje politike, dhe kjo është një dukurie e vjetër në ekonominë shqiptare” - tha zoti Preçi. Evazioni fiskal dhe informaliteti vlerësohet se janë shumë të përhapura në ekonominë shqiptare. Ndonëse asnjëherë nuk ka patur një matje për to, ekspertët i vlerësojnë si një nga frenuesit kryesorë të zhvillimit ekonomik të vendit. //rd//

XS
SM
MD
LG