Lidhje

Giants i Nju Jorkut, kampion!


Ekipi Giants i Nju Jorkut fitoi mbrëmë kupën Superbowl në kampionatin vjetor të futbollit amerikan. Përveç peshës që mbart në vetvete fitorja e kupës, ajo bëhet edhe më e veçantë, duke pasur parasysh se Giants fituan përballë ekipit Patriot të New England, të cilët kanë gëzuar fitore të pasfiduar gjatë gjithë sezonit deri në finale.

Ishte një ndeshje që pa dyshim do të hyrë në historinë e futbollit amerikan. Një ndër përmbysjet më të mëdha të rezultatit në një ndeshje sportive. Ekipit Patriots i New Englandit gëzoi epërsi gjatë gjithë lojës me rezultatin 14-10.

Loja hyri në minutën e fundit ndërkohë që tifozët e Patriots kishin filluar të uronin njëri-tjetrin, ndërsa vetë trajneri i Giants dukej i demoralizuar në pritje të humbjes. Por me vetëm 39 sekonda në lojë, Ili Maning, quarterback i Giants organizon sulmin e fundit, me një pas të përsosur për Plaxico Burress, duke shënuar 7 pikë për Giants dhe duke i siguruar ekipit të tij fitoren. Giants nuk fituan thjesht kupën, por mbyllën një sezon të përsosur të Patriots, të cilët nuk kishin pësuar asnjë humbje gjatë gjithë sezonit.

Tom Brady, quarterback i ekipit Patriots, ishte organizatori tek i cili ekipi i kishte varur shpresat, por nuk arriti të nxirrte plotësisht në pah aftësitë e tij falë mbrojtjes së fortë të Giants: "Kjo humbje nuk ul rëndësinë e fitoreve të tjera që shënuam gjatë sezonit. Të gjitha ato ishin ndeshje të mrekullueshme", tha Brady.

Eli Maning, organizator i Giants mori edhe titullin si Lojtari më i Vlefshëm në këtë kampionat: "I mundëm, Luajtëm më mirë. Ishte një lojë e përkryer". Eli, mori edhe përgëzimet e vëllait të madh Paton Maning, i cili vjet udhëhoqi ekipin Colts të Indianapolis në fitoren e kampionatit të vjetshëm.

Por superboulli nuk është thjesht ndeshja më e rëndësishme sportive në Shtetet e Bashkuara, por një veprimtari gjigande artistike me shfaqje nga emra të njohur të muzikës.

Këtë radhë në munitat e pushimit pas pjesës së parë, në skenë interpretoi këngëtari i muzikës rok, Tom Petty. Por për shumë njerëz të painteresuar në sport, superbowli është një spektakël argëtues me reklamat më origjinale, dhe më të shtrenjta në televizion.

Kjo sipërmarrje marramendëse sjell një pështjellim të paimagjinueshëm në qytetin organizator Glandale të Arizonës. Por edhe përfitimet financiare janë kolosale.

Disa nga banorët kanë arritur të japin me qera shtëpitë e tyre për një çmim prej 250 mijë dollarësh për një javë, ndërsa një manastir ka dhënë dhoma me qera me nga 200 dollarë natën. Të gjitha të ardhurat e manastirit për qëllime bamirësie, dhe me premtimin për një mbrëmje të paharrueshme. Dhe ata që pranuan të paguajnë një çmim të tillë, nuk mund të thonë se mbetën të zhgënjyer, ndeshja e mbrëmshme do të hyjë në histori si një ndër finalet më të paparashikuara dhe të paharrueshme të futbollit amerikan. //rd//

XS
SM
MD
LG