Lidhje

Pettifer: Pavarësia e Kosovës sa më shpejt, fuqia e Rusisë po rritet


Historiani James Pettifer, autor i disa librave për Ballkanin, thotë se fuqitë perëndimore po tregohen të kujdesshme me pavarësinë e Kosovës për të shmangur një përçarje të BE-së, por njëkohësisht, ato nuk duhet të humbasin kohë sepse fuqia e Rusisë në Europën Lindore po rritet. Profesor Pettifer u intervistua nga kolegu ynë Ilir Ikonomi.

Zëri i Amerikës: Tani që zoti Tadiç u zgjodh President i Serbisë, mendoni se do të shohim shenja moderimi në qendrimin e Beogradit ndaj pavarësisë së pritëshme të Kosovës?

James Pettifer: Jo. Ai është president me fuqi shumë të kufizuara. Ai ka një politikë të caktuar dhe nuk mendoj se ekziston ndonjë arësye që ta ndryshojë këtë politikë. Zgjedhjet në Serbi nuk u bënë për politikën ndaj Kosovës, e cila mbetet e njëjtë për të gjitha partitë. Zgjedhjet kishin të bënin me të pasurit dhe të varfërit në Serbi, pra me ata që përfituan nga ndryshimet e bëra vitet e fundit dhe ata që nuk mundën të përfitojnë. Kishin të bënin gjithashtu me pakicat. Nëse shihni se kush mori pjesë në zgjedhje, pa votën e pakicave, zoti Tadiç nuk do të ishte zgjedhur, pra pa votuesit në Vojvodinë apo në Sanxhak.

Zëri i Amerikës: Fakti që zoti Tadiç do të vazhdojë të ketë përsëri kontrollin e ushtrisë, a ndikon në uljen e tensioneve të mundëshme ushtarake me Kosovën?

James Pettifer: Kjo është diçka e mirë sepse zgjedhja e zotit Tadiç heq këcënimin ushtarak ndaj Kosovës, që ekzistonte të paktën në teori në rast se radikalët do ta kishin në dorë ushtrinë. Fuqia e zotit Tadiç bazohet kryesisht në ushtrinë dhe shpresoj se ai do të veprojë në mënyrë të përgjegjëshme.

Zëri i Amerikës: Çfarë ndikime do të ketë pavarësia e Kosovës në marrëdhëniet e saj me vendet e rajonit?

James Pettifer: Mendoj se pavarësia e Kosovës është absolutisht e domosdoshme për stabizilimin e rajonit. Por në vështrimin afatshkurtër do të ketë probleme. Sepse mendoj se disa nga vendet përreth, madje edhe vende anëtare të Bashkimit Europian si Rumania dhe Bullgaria, nuk janë shumë të kënaqura me pavarësinë. Mund të ketë probleme udhëtimi, pasaportash dhe tregtie me Kosovën. Megjithatë, mendoj se atyre do t’u duhet në fund të fundit të zbatojnë politikat e BE-së. Gjithashtu, disa vende ballkanike, si Bullgaria, po goditen rëndë nga problemet ekonomike, siç është krediti bankar, pra ato do të shikojnë problemet e tyre të brendshme më tepër se sa do të preokupohen me Kosovën.

Zëri i Amerikës: Përse Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi po e luajnë me kaq kujdes kartën e pavarësisë së Kosovës?

James Pettifer: Fuqitë perëndimore po përpiqen të mbajnë një front të bashkuar sidomos të mos lejojnë përçarjen e BE-së sepse kjo ka rëndësi. Por njëkohësisht, ato nuk duhet të humbasin kohë sepse fuqia e Rusisë në Europën Lindore po rritet dhe kjo u pa edhe me marrëveshjen që Gazpromi rus nënshkroi me Serbinë. Presidenti rus, Putin ka marrë shumë nga ato që synonte të merrte dhe mendoj se ka rëndësi që këtij ndikimi të Rusisë në rajon t’i vihet tani një kufi.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit, disa figura politike amerikane si ish sekretari i shtetit Lawrence Eagleburger dhe ish ambasadori amerikan në OKB, John Bolton, paralajmëruan se pavarësia e Kosovës mund të nxisë shqiptarët në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës të ndjekin shembullin e Prishtinës. Sa të besueshme janë këto argumente?

James Pettifer: Mendoj se ata nuk e njohin realitetin në terren. Komunitetet shqiptare në këto vende kanë probleme të të drejtave të njeriut por këto probleme po zgjidhen si në rastin e Maqedonisë me marrëveshjet e Ohrit. Shqiptarët në Maqedoni e ndjejnë se ka rëndësi që Maqedonia të mbetet e bashkuar. Nuk ka ndonjë shenjë që ndonjë pjesë e rëndësishme e udhëheqjes politike të ketë bërë thirrje për federalizim, kantonizim apo gjëra të tilla. Autorët e artikullit përsërisin një ide të Serbisë së Madhe që vjen direkt nga Beogradi. Më habiti shumë fakti që një personalitet si John Bolton, ish ambasador i Shteteve të Bashkuara në OKB, bën komente të tilla.

Zëri i Amerikës: Po Lugina e Preshevës?

James Pettifer: Lugina e Preshevës ka shumë probleme por tani për tani ajo nuk është në gjendje krize. Ajo ka nevojë për reforma të ndryshme por të mos harrojmë se shqiptarët e Preshevës morën pjesë në zgjedhjet e fundit në Serbi dhe ata luajnë një rol aty. Nuk shikoj ndonjë shenjë që çështja e Preshevës të rihapet ushtarakisht. E vetmja mundësi që kjo të ndodhë është nëse kemi ndarje të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Ka patur zëra se qeveria e Maqedonisë mund të përpiqet të vendosë një regjim vizash edhe me Kosovën. Çfarë implikime mund të kishte një gjë e tillë?

James Pettifer: Në Maqedoni ka një lob prosllav i cili nuk e shikon me sy të mirë atë që po ndodh në Kosovë. Por mendoj se realiteti është që Maqedonia ka nevojë për tregtinë dhe biznesin me Kosovën dhe vendosja e një regjimi vizash do të ishte një hap i madh prapa. Kjo do të rriste gjithashtu tensionet në kufin mes Kosovës dhe Maqedonisë.

Zëri i Amerikës: Sa kohë do të duhet që Serbia ta njohë një Kosovë të pavarur, ta njohë ekonomikisht dhe politikisht?

James Pettifer: Nëse do të ketë një bojkotim nuk mendoj se ai do të zgjasë shumë. Bojkotimet nuk funksionojnë mirë dhe qeveritë e kanë të vështirë t’i vazhdojnë ato. Njerëzit në Serbi kanë nevojë të bëjnë tregti me Kosovën, sidomos fermerët dhe ata kanë nevojë për para. Përsa i përket njohjes ekonomike, mendoj se ajo mund të vijë shumë shpejt. Ndërsa njohja politike do të jetë më e vështirë dhe do të kërkojë disa vjet. //ad//

XS
SM
MD
LG