Lidhje

Marrëdhëniet ruso-gjeorgjiane


Javën e kaluar, Mihail Sakashvili bëri betimin për një mandat të dytë si president i Gjeorgjisë. Një prej çështjeve kryesore me të cilat përballet administrata e tij është përmirësimi i marrëdhënieve midis Gjeorgjisë dhe Rusisë. Në vazhdim i hedhim një vështrim marrëdhënieve të trazuara midis Tbilisit dhe Moskës.

Mihail Sakashvili u zgjodh president i Gjeorgjisë më 5 janar, pasi fitoi 53 për qind të votave. Katër vjet më parë ai fitoi 96 përqind të votave. Në atë kohë, ai erdhi në pushtet pas lëvizjes popullore e njohur si Revolucioni Trëndafil që detyroi dorëheqjen e presidentit të athershëm Eduard Shevarnadze.

Shumë analistë, përfshirë edhe Ollga Oliker e Korporatës RAND, thonë se gjeorgjianët u zhgënjyen nga premtimet e udhëheqësve të Revolucionit Trëndafil. “Nuk mund të shmanget zhgënjimi kur që në fillim pritet shumë. Një udhëheqje e re vjen në pushtet dhe zë vendin e një udhëheqjeje të së kaluarës, njerëz që ishin në pushtet në periudhën sovjetike. Eduard Shevarnadze ishte ministri i fundit i jashtëm i Bashkimit Sovjetik. Largimi i tij nga pushteti dhe ardhja e zotit Sakashvili me një personel të ri, të aftë dhe të arsimuar në perëndim, me siguri që u shikua si një valë e së ardhmes”.

Por zonja Oliker dhe analistë të tjerë thonë se zoti Sakashvili vendosi sundimin autoritar qeverisës, duke shkaktuar pakënaqësi të publikut. Nëntorin e kaluar, dhjetra mijëra demonstrues dolën nëpër rrugët e Tbilisit duke kërkuar dorëheqjen e presidentit. Policia përdori forcën për të shpërndarë demonstruesit, akt që shumë analistë e quajnë si pikën më të ulët të presidencës së zotit Sakashvili. Demonstratat e detyruan zotin Sakashvili të kërkonte mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Vëzhguesit ndërkombëtarë i përshkruan zgjedhjet e 5 janarit si të lira e të drejta, megjithë disa parregullsi, ndërkohë që grupet e opozitës po e kundërshtojnë rezultatin. Ndërsa zoti Sakashvili fillon mandatin e dytë në detyrë, analistët thonë se ai do të vazhdojë shumë prej politikave që ai zbatoi gjatë mandatit të parë.

Ronald Soni nga Universiteti i Çikagos thotë se në frontin e politikës së jashtme, presidenti gjeorgjian do të vazhdojë ta largojë vendin nga Rusia dhe ta afrojë me NATO-n dhe Perëndimin. “Gjeorgjia dhe intelektualët gjeorgjianë, dhe me siguri qeveria e Gjeorgjisë, janë shumë të intereasur të jenë pjesë e Perëndimit, pjesë e Evropës. Ata e shikojnë veten si një vend i lashtë i krishterë dhe si skaji lindor i Evropës. Ambicjet e tyre janë të integrohen sa më shumë me NATO-n dhe me komunitetin e vendeve evropiane si një mënyrë për të dalë nga izolimi dhe si një mënyrë për të shtuar sigurinë e tyre përkundrejt Rusisë, të cilën e shikojnë ende si një fuqi kërcënuese”.

Qëndrimi i Gjeorgjisë drejt Perëndimit ka shtuar tensionet midis Tbilisit dhe Moskës. Një burim fërkimesh të ndjeshme në marrëdhëniet Gjeorgji-Rusi është çështja e rajoneve separatiste të Gjeorgjisë, Abkazia dhe Osetia Jugore, të cilat ndodhen në kufi me Rusinë. Robert Legvold nga Universiteti Kolumbia dhe Ronald Soni i Universitetit të Çikagos thonë se kjo çështje përbën një sfidë të vështirë dhe problem të madh për presidentin Sakashvili.

Shumë analistë thonë se ka shenja se marrëdhëniet e tendosura midis Tbilisit dhe Moskës mund të zbuten. Në fjalimin e përurimit, presidenti Sakashvili tha se Gjeorgjia i shtrin dorën e miqësisë Rusisë. Kurse ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili mori pjesë në ceremoni, tha se prania e tij konfirmon synimin e Moskës për të normalizuar marrëdhëniet me Gjeorgjinë.

Robert Legvold i Universitetit Kolumbia thotë se marrëdhënie më pozitive mes këtyre dy vendeve janë të mundura. “Ka shenja se të dy palët po fillojnë bisedimet rreth embargos së ujit mineral dhe verës nga Gjeorgjia në Rusi. Rusia është një treg i rëndësishëm në këtë fushë dhe bisedime të tilla do të përbënin hapin e parë të rëndësishëm drejt shtimit të besimit të ndërsjellë, nëse zgjidhet kjo çështje dhe nëse Gjeorgjia fillon përsëri eksportin në Rusi”.

Shumë ekspertë mendojnë se që tensionet mes Tbilisit dhe Moskës të ulen, secila palë duhet të bëjë kompromise të ndjeshme. Ata thonë se kjo mund të ndodhë gjatë mandatit të dytë të presidentit Sakashvili dhe veçanërisht pasi në detyrë të vijë presidenti i ri rus pas zgjedhjeve në fillim të marsit në Rusi. //ad//

XS
SM
MD
LG