Lidhje

" Super e marta" në SHBA: Votohet në 24 shtete për kandidatët presidencialë

  • Xhim Frai

Në Shtetet e Bashkuara, zgjedhësit në 24 shtete votojnë sot, në ditën që njihet si “Super e Marta”, për të caktuar kandidatin e tyre të preferuar për zgjedhjet presidenciale që mbahen në muajin nëntor. Rezultatet e anketave tregojnë se Senatorët Hillari Klinton dhe Barak Obama, janë pothuajse barabar në garën e tyre për të fituar emërimin e Partisë Demokrate.

Për palën republikane, anketat tregojnë se Senatori, John McCain është në krye të garës, ndaj tre kandidatëve të tjerë që kanë mbetur, ish guvernatorëve Mitt Romney dhe Majk Hakëbi, dhe ligjëvënësit nga Teksasi, Ron Pol.

Pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të sotme, kandidatëve u mbetet ende një rrugë e gjatë për t’u përshkruar, deri në marrjen e një vendimi nga të dyja partitë, se cili do të jetë kandidati i tyre presidencial për në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit. Në zgjedhjet paraprake dhe konferencat partiake që po zhvillohen sot, kandidatët sigurojnë delegatë për në Kuvendet Kombëtare që zhvillohen në fund të verës dhe ku zgjidhet kandidati për president i të dy partive.

Nga katër shtete që zhvillojnë zgjedhje në Verilindje, Nju Jorku është çmimi më i madh që mund të fitohet, dhe gjithashtu shteti i senatores Hillari Klinton.

Megjithëse ajo e ka humbur vendin e saj në krye të listës në anketat kombëtare të opinionit publik, zonja Klinton thotë se ajo është zgjedhja më e mirë e partisë së saj për t’u bërë ballë republikanëve.

“Nuk mendoj se ato do ta lënë Shtëpinë e Bardhë pa luftuar deri në fund.” - tha ajo.

Por edhe në shtetin Nju Xhersi pranë Nju Jorkut, anketat e opinionit publik tregojnë se zonja Klinton e ka humbur përparësinë, dhe vota demokrate është e hapur edhe për kandidatë të tjerë.

Po lëkundem mes dy kandidatëve, mes senatores Hillary dhe senatorit Obama.” ,-tha një votues.

Popullariteti i senatorit Barak Obama është gjithnjë në rritje ndërkohë që ai përpiqet t’i bindë demokratët se ai është kandidati që mund të sjellë ndryshime.

"Kudo që shkoj amerikanët ngulin këmbë se duan diçka të re. Ёshtë koha të kthejmë faqen dhe të shkruajmë një kapitull të ri në historinë amerikane" ,- tha ai.

Zoti Obama pritet të fitojë në shtetin e tij të Illionit. Megjithatë, demokratët pritet të zhvillojnë një betejë të fortë në shtetin fqinjë të Mizurit."

Mes republikanëve, senatori Xhon Mekejn ka fituar një përparësi të dukshme në anketat kombëtare të opinionit publik dhe në shumicën e shteteve.

“Miqtë e mi, unë po kandidoj për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, sepse mendoj se përballemi me një sfidë të jashtëzakonshme në shekullin e 21-të që është Islami radikal ekstremist.” - tha ai.

Republikani nga Arizona po bën fushatë edhe në shtetin, ku kundërshtari i tij gëzon një përkrahje të madhe. Ai e kaloi të djelën në mbrëmje në Masaçusets, shtetin e Mit Romnit. Ish guvernatori thotë se ai është zgjedhja më e mirë konservatore për partinë e tij.

“Unë e dua imigracionin e ligjshëm, por do ta ndaloj imigracionin e paligjshëm.”

Dy republikanët e tjerë, anëtari i kongresit Ron Pol dhe ish guvernatori i shtetit Arkansa Majk Hakëbi vazhdojnë garën.

“Të gjitha këto spekullime se gjithçka do të përfundojë të martën janë të parakohshme. Asgjë nuk mbaron deri sa një kandidat të marrë një mijë e 191 delegatë.”

Çmimi më i madh në perëndim për të dy partitë është shteti me popullsi më të madhe, Kalifornia. Maria Shrajver e familjes Kenedi, është gruaja e guvernatorit republikan Arnold Shvarceneger. Megjithatë, ajo i çuditi të gjithë kur u shfaq në një tubim për demokratin Obama në krah të yllit të televizionit Oprah Uinfri gjatë fushatës së tij.

Unë nuk do të votoj për Barak Obamën se është zezak. Do do të votoj për të sepse është i shkëlqyer” , - tha Uinfri.

Ky është pushteti i yjeve në shtetin e Hollivudit, ku demokratët dhe republikanët po konkurojnë në gara tepër të ngushta.//lk

XS
SM
MD
LG