Lidhje

Rusia thotë se i ka ofruar koncesione ODIHR-it


Rusia thotë se i ka ofruar koncesione organizatës kryesore monitoruese të zgjedhjeve, ODIHR-it, në përgjigje të shqetësimeve të evropianëve lidhur me kufizimet në kohën e qëndrimit dhe në numrin e vëzhguesve. Por një zëdhënës i ODIHR-it tha se këto koncesione nuk janë të mjaftueshme.

Ky kompromis, i ofruar për degën zgjedhëse të Organizatës për Bashkëpunimin dhe Sigurimin në Evropë, OSBE, ka të bëjë me kohën e mbërritjes së vëzhguesve që do të jetë 20 shkurt, në vend të datës së mëparshme, 28 shkurtit. OSBE-ja thotë se vëzhguesit duhet të ndodhen në Rusi që më 15 shkurt që të bëjnë si duhet punën e tyre. Vëzhguesit evropianë u larguan në dhjetor nga zgjedhjet parlamentare për shkak të kufizimeve të ngjashme.

Në një zhvillim tjetër, Gjykata e Lartë e Rusisë mbajti në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që nuk e lejon ish-kryeministrin Mikhail Kasjanov të kandidojë në zgjedhjet presidenciale. Gjykata deklaroi sot, se përjashtimi i zotit Kasjanov si kandidat për në zgjedhjet e marsit është i vlefshëm.

Komisioni elektoral e mori vendimin për të mos e lejuar zotin Kasjanov të kandidojë në zgjedhje, për arsye se dhjetra mijëra firmat që si kishte marrë në peticionet e nevojshme për emërimin e tij, ishin të pavlefshme. Përkrahësit e ish-kryeministrit Kasjanov thonë se ky vendim është një marifet i Kremlinit, që synon mbrojtjen e kandidatit të vet të preferuar, Dmitri Medvedev nga rivalë të rëndësishëm.//lk

XS
SM
MD
LG