Lidhje

SHBA: McCain, Clinton, dhe Obama arrijnë fitore të rëndësishme


Në Shtetet e Bashkuara, kandidatët për president, senatorët John McCain, Hillary Clinton, dhe Barack Obama arritën fitore të rëndësishme në votimet e super të martës për emërimet brenda partive.

Në garën republikane, zoti McCain ka fituar ose parashikohet të fitojë në 7 shtete, duke përfshirë shtete të tilla me popullsi të madhe si Kalifornia, Nju Jorku, Nju Xhersi dhe Mizuri.

Rezultatet dhe parashikimet tregojnë se rivali i tij Mitt Romney ka fituar 5 shtete, duke përfshirë shtetin Massachusetts, ku ai ka qenë guvernator.

Ish guvernatori i shtetit Arkansa Mike Huckabee ka fituar gjithashtu në 5 shtete, kryesisht në jug.

Në kampin demokrat, senatorja Hillary Clinton ka fituar ose parashikohet të fitojë në 8 shtete, duke përfshirë Nju Jorkun, që ajo përfaqëson në senat si dhe Kaliforninë.

Rivali i saj demokrat, senatori Barack Obama, ka marrë 11 shtete, ku për t’u përmendur është Georgia si dhe shteti i tij Illinois.

Super e Marta është dita kur zhvillohen votime paraprake në shumë shtete njëherësh, konkretisht në 24 shtete dhe mbi bazën e rezultatit të garave, secili kandidat fiton delegatë, numri i të cilëve do të përcaktojë se cili kandidat do ta fitojë emërimin për partinë e tij. //ii

XS
SM
MD
LG