Lidhje

Xhekson: Nuk ekziston ndonjë pengesë që Shqipëria të marrë ftesën për anëtarësim në NATO

  • Zamira Edwards

Në takimin e nivelit të lartë të NATO-s, që mbahet në Bukuresht në muajin prill, pritet gjerësisht që Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia të marrin ftesën për anëtarësim në këtë organizatë. Analisti Brus Xhekson, president i Projektit për Demokracitë në Tranzicion, thotë se nuk ekziston ndonjë pengesë për këto 3 vende që të marrin ftesën për anëtarësim në NATO. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Xhekson thotë se parashikimi që Kosova do të shpallë pavarësinë e bën të lehtë për udhëheqësit perëndimorë të vendosin t’i shtrijnë dorën e anëtarësimit në NATO këtyre 3 vendeve, duke krijuar kushtet që në të ardhmen kjo organizatë të shtrihet në pjesën tjetër të Ballkanit.

Zëri i Amerikës: Zoti Jackson, në Shqipëri pritet gjerësisht që në takimin e Bukureshtit ky vend të marrë ftesën për anëtarësim në NATO. Cilat janë arsyet që i hapin rrugën Shqipërisë drejt këtij anëtarësimi?

Brus Xhekson: Ne kemi punuar për zgjerimin e NATO-s që prej anëtarësimit të Republikës Çeke, Polonisë dhe Hungarisë. Ne mendojmë se është fare e qartë se 3 vendet e Ballkanit, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, përmbushin të gjitha kërkesat, që janë caktuar për zgjerimet e mëparshme. Në fakt, këto 3 vende kanë bërë më shumë përparim se sa vendet e pranuara më parë e kjo për arsye të periudhës përgatitore prej 8 vjetësh në kuadër të planit të NATO-s për anëtarësim, diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Në se bëjmë një krahasim, Gjermania, për shembull, në vitet 50-të nuk kishte as ushtri e as buxhet mbrojtjeje, ndërkohë që këto 3 vende, veçanërisht Shqipëria po kontribuon në operacione paqëruajtëse dhe në koalicione ndërkombëtare në gjithë botën. Kjo nuk do të thotë se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia kanë zgjidhur të gjitha problemet e tyre madje një gjë e tillë nuk pritet para se një vend të anëtarësohet në NATO. Greqia dhe Turqia ende vazhdojnë përpjekjet për zgjidhjen e problemeve të ndryshme, 50 vjet pasi u anëtarësuan në NATO. Nuk mendoj se ekziston ndonjë pengesë që këto 3 vende të marrin në takimin e Bukureshtit ftesën për anëtarësim në NATO.

Zëri i Amerikës: Disa kritikë thonë se anëtarësimi i këtyre 3 vendeve në NATO, para se ato të zbatojnë disa reforma të caktuara, do të bënte që në të ardhmen vende të tjera, që synojnë të anëtarësohen në NATO, nuk do të nxiten të përmbushin reformat. Si u përgjigjeni ju këtyre kritikave?

Brus Xhekson: I kam dëgjuar këto kritika, por ato nuk korrespondojnë me faktet. NATO-ja, në fakt, gradualisht i ka ngritur standartet me kalimin e viteve. Për korrupsionin, për shembull, nuk u fol kur Republika Çeke u anëtarësua në NATO. Vetëm një vit para se Hungaria u anëtarësua, ky vend filloi punën për reforma në sektorin e mbrojtjes. Tre vendet ballkanike kanë përparuar më shumë në këto aspekte. Edhe vetë procesi është më i zgjeruar pasi ai përfshin më shumë aspekte si procesi zgjedhor, marrëdhëniet mes forcave politike si dhe kritire të tjera, që nuk ishin më parë pjesë e kërkesave për anëtarësim në NATO. Aleanca Trans-Atlantike ka kriteret e saj dhe pikërisht këtu kritikët gabojnë kur vënë në pikëpyetje standartet e NATO-s apo nivelin e reformave të zbatuara nga vendet kandidate. NATO-ja ka kriteret e saj të anëtarësimit, të cilat krijojnë kushtet për të bërë të mundur transformimet politike, kritere këto që i përkasin anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që është shumë më i vështirë se sa anëtarësimi në NATO.

Zëri i Amerikës: Ju keni qënë kritik ndaj qeverisë së Kryeministrit Berisha, pas rikthimit të tij në pushtet. Ndërkohë, tani ju keni fjalë të mira për Shqipërinë, konkretisht anëtarësimi i saj në NATO. Si e vlerësoni ju punën e qeverisë shqiptare?

Brus Xhekson: Është puna jonë si organizatë jo-qeveritare të kritikojmë zyrtarët që kandidojnë për poste qeveritare. Dua të them se qeveria e kryeministrit Berisha ka bërë një punë më të mirë sa se kam pritur unë lidhur me zbatimin e reformave të kërkuara për anëtarësim në institucionet evropiane. Zyrtarët që kryeministri Berisha ka emëruar në poste të ndryshme janë njerëz të respektuar. Ndoshta do të jem përsëri kritik për Shqipërinë dhe politikanët e saj, të cilët për mendimin tim angazhohen në replika pa fund dhe kritika të tilla mund të vijnë edhe nga aleatët evropianë, por sidoqoftë Shqipëria do të jetë një aleate e besuar e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Zgjedhjet e fund javës së kaluar në Serbi, duket se do të pasohen shumë shpejt me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe njohjen e saj nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore anëtare të Bashkimit Evropian. Ju thoni se faza e ardhshme e shtrirjes së NATO-s është Ballkani. Kosova dhe Serbia janë pjesë e Ballkanit. Si i shikoni ju zgjedhjet në Serbi dhe shpalljen, që pritet, të pavarësisë së Kosovës në kuadrin e shtrirjes së NATO-s në gjithë Ballkanin.

Brus Xhekson: Është e vërtetë që zgjedhjet në Serbi janë shikuar nga Perëndimi si një hap i sukseshëm, fitore për qeverinë e Beogradit me prirje evropiane dhe i ka hapur Serbisë dyert e Evropës, diçka që favorizohej nga Perëndimi. Tani është e qartë se vendimi i ardhshëm do të jetë ai për statusin e Kosovës, që unë pres të ndodhë këtë muaj. Mendoj se parashikimi i statusit të Kosovës e bën të lehtë për udhëheqësit perëndimorë të vendosin t’i shtrijnë dorën e anëtarësimit në NATO, Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, duke krijuar kushtet që në të ardhmen NATO-ja të shtrihet në pjesën tjetër të Ballkanit. Ne po përpiqemi të zgjidhim problemet e fundit të Ballkanit, të zgjidhim konfliktet dhe statusin e vendeve të reja në rajon si dhe të përcaktojmë kushtet e anëtarësimit në të ardhmen të këtyre vendeve në institucionet evropiane, kështu ndërtohet paqja. Ne mendojmë se kjo mund të arrihet këtë pranverë, së pari me vendimin për statusin e Kosovës këtë muaj dhe pas 60 ditësh me vendimin për anëtarësimin në NATO të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë. (ze)

XS
SM
MD
LG