Lidhje

Bashkimi Evropian shtyn nënshkrimin e marrëveshjejes me Serbinë


Bashkimi Evropian e shtyu nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi me Serbinë, që ishte planifikuar për nesër, për shkak të përplasjeve politike në Beograd lidhur me çështjen e Kosovës. Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin Oli Rehn tha se kryeministri serb Vojisllav Koshtunica e ka bllokuar marrëveshjen, në shenjë proteste ndaj vendimit të Bashkimit për të dërguar një mision policor dhe administrativ në Kosovë.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin theksoi sot në Bruksel se marrëveshja mbetet e hapur duke shprehur keqardhje për ata që e quajti “pengesa nga disa politikanë të Beogradit”.

"Bashkimi Evropian e kishte ftuar Serbinë të nënshkruante nesër një marrëveshje politike. Kjo marrëveshje do të përbënte një kornizë të përgjithshme për përparim në dialogun politik, tregti të lirë, hapjen e tregjeve dhe shkëmbime arsimore, të gjitha këto shumë të rëndësishme për popullin serb".

Dje kryeministri Koshtunica e cilësoi marrëveshjen që ka ofruar BE-ja “një kurth” që sipas tij synonte ta detyronte vendin e tij të pranonte pavarësinë e Kosovës. Komisioneri Oli Rehn shprehu zhgënjim ndaj qëndrimit të Beogradit:

"Me sa kuptojmë ne, bazuar në komunikimet më të fundit, pengesat proceduriale në Serbi e kanë bërë të pamundur marrjen e vendimit që do të autorizonte qeverinë të nënshkruante këtë marrëveshje të përkohëshme politike. Shpresoj që këto pengesa të sheshohen së shpejti. Dua të nënvizoj se jam shumë i zhgënjyer që po shtyhet nënshkrimi që ishte parashikuar për nesër".

Zoti Rhen shtoi se angazhimi i Bashkimit Evropian mbetet i vendosur dhe oferta mbetet e hapur. BE-ja, tha ai, pret që sapo Serbia të jetë e gatshme të realizohet nënshkrimi i marrëveshjes politike. (ze)

XS
SM
MD
LG