Lidhje

Analistët diskutojnë gjendjen e krijuar pas zgjedhjeve në Serbi


Shumë gjëra varen nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Serbi. Presidenti aktual, Boris Tadic i fitoi ato me një diferencë të vogël nga kandidati nacionalist pro-rus. Gara u ndoq me vëmendje nga në Kosovë, e cila ka në plan të shpallë pavarësinë brenda disa javëve. Gazetarë serbë, kosovarë dhe gjermanë folën për ndikimin e këtyre zgjedhjeve.

Zgjedhjet presidenciale në Serbi u konsideruan më të rëndësishmet që kur Sllobodan Millosheviçi u përmbys në vitin 2000. Tomislav Nikolic, Partia Radikale e të cilit përkrahte zotin Millosheviç në vitet 1990, është në favor të lidhjeve më të ngushta me Rusinë, ndërsa zoti Tadic, mbështet lidhje më të ngushta me perëndimin dhe hapa të shpejta drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por të dy politikanët janë kundër pavarësisë së Kosovës.

Ljiljana Smajlovic, kryeredaktore e gazetës Politika në Beograd, thotë se fitorja e zotit Tadic në zgjedhjet e së dielës, garantoi vazhdimësinë e integrimit evropian të Serbisë. Por ka një problem:

“Nuk ka për të pasur ndryshim pushteti në krye, por partitë demokratike po përballen me një pakënaqësi në rritje tek popullsia, e cila nuk është e kënaqur me ritmin e zhvillimit ekonomik, por as me mënyrën sesi Perëndimi po përpiqet të zgjidhë çështjen e Kosovës. Kështu që ky është vetëm fillimi i një periudhe tjetër të trazuar në politikën serbe dhe jo përfundimi i vendimit se cilët do ta drejtojnë Serbinë”.

Ljiljana Smajlovic thekson se papunësia në Serbi është shumë e lartë dhe se është ngjallur pakënaqësi për thellimin e hendekut mes atyre që janë në gjendje të keqe financiare dhe të pasurve. Të gjitha këto i shtohen pakënaqësisë për Kosovën. Ajo thotë se Serbia është tani e polarizuar në dy grupe të pothuajse të njëjtave përmasa.

Një ide të tillë e konfirmon Matthias Rueb, shefi i zyrës së Washingtonit për gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung. Por kur zoti Tadic e mundi zotin Nikolic duke fituar 51 me 48 për qind, në Evropë pati një ndjenjë të thellë lehtësimi.

“Diferenca ishte shumë e vogël, vetëm 115 mijë vota më shumë për Tadiçin, që është shumë pro-perëndimor, dhe i favorizuari i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, sesa Nikoliçin që mbështet lidhje më të ngushta me Rusinë. Dhe në fakt, gara nuk ka përfunduar, sepse (Presidenti) Tadiç, udhëheqësi i Partisë Demokratike, një parti shumë properëndimore, është shumë i dobët krahasuar me Kryeministrin Vojislav Kostunica, partia e të cilit është më shumë nga krahu i radikalëve të Tomislav Nikoliçit, të cilët ende drejtohen nga Vojislav Sesejl, që ndodhet në Hagë, si kriminel lufte. Kështuqë është shumë e vështirë të parashikohet se si do të reagojë Serbia”.

Pavarësisht nga këto tensione, pritet që shqiptarët e Kosovës ta shpallin pavarësinë brenda dy javëve të ardhshme. Në fakt, gazetari Dukagjin Gorani, drejtor i Institutit të Kosovës për Gazetarinë dhe Komunikimin në Prishtinë, e cilëson të pashmangshme shpalljen e saj. Ajo që ka rëndësi, thotë ai, është që Bashkimi Evropian ta interpretojë fitoren e zotit Tadiç si sukses.

Fakti që këtë javë, kryeministri Koshtunica e quajti ofertën e Bashkimit Evropian për nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit si një kurth për ta detyruar vendin e tij që të pranojë pavarësinë e Kosovës, nxjerr në pah tensionet mes tij dhe presidentit Tadiç. Marrëveshja me BE-në do të bënte të mundur lehtësimin e kufizimeve për vizat dhe zgjerimin e tregëtisë me Serbinë. Ndërkohë BE-ja ka miratuar planin për dërgimin e një force prej 1 mijë e 800 forcave të policisë dhe zyrtarëve të administratës në Kosovë. Zoti Koshtunica thotë se ky plan do të shpërbënte Serbinë dhe ka bërë thirrje për një seancë urgjente të Parlamentit për ta diskutuar këtë çështje.

Por nga këndvështrimi i shqiptarëve të Kosovës, thotë zoti Gorani, qëndrimi perëndimor është i vetmi që ka rëndësi.

“Ata i interpretojnë sinjalet e marra, si shenjë që shumica e vendeve të Bashkimit Evropian dhe Uashingtoni do ta njohin pavarësinë. Për opinionin publik, njohja nga fuqitë perëndimore dhe aleatët dhe partnerët e tyre është thelbësore”.

Megjithatë gazetarja serbe Ljiljana Smajlovic e konsideron pasqyrimin në median perëndimore të çështjeve që kanë lidhje me zgjedhjet serbe dhe statusin e Kosovës disi të thjeshtëzuar.

“Gjithë kjo dilemë Lindje-Perëndim, Rusi-BE ku përqendrohet shtypi perëndimor, nuk korrespondon me atë që ndodh në terren”.

Ljiljana Smajlovic vë në dukje për shembull, se Presidenti Tadic nënshkroi kohët e fundit një marrëveshje gazi me Presidentin Rus Vladimir Putin. Më tej, mënyra sesi zgjidhet statusi i Kosovës mund të pengojë integrimin e Serbisë në BE, sepse në Parlament ka deputetë të mjaftueshëm për të bllokuar çdo marrëveshje me Bashkimin Evropian. Siç thotë ajo, kjo situatë nuk është tejkualuar ende. Bashkimi Evropian thotë tani se marrëveshja me Serbinë thotë tani se marrëveshja me Serbinë ka ngecur për shkak të mosmarrëveshjes politike në Beograd. //kk//

XS
SM
MD
LG