Lidhje

Takimi i Natos në Vilnus - Temë diskutimi Afganistani dhe Kosova


Sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Gejts, shprehu zhgënjim që disa vende anëtare të NATO-s nuk kanë dërguar trupa luftarake në Afganistan.

Sekretari Gejts u tha sot gazetarëve se nuk mendon që misioni i NATO-s, që synon të luftojë kryengritjen talebane, është në rrezik të dështojë. Zoti Gejts i bëri këto komente në Vilnus të Lituanisë, ku ndodhet për takimin e ministrave të mbrojtes të NATO-s.

Më parë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de hup Skefer, tha se çdo dështim i forcave të NATO-s në Afganistan mund të nxisë sulme të reja terroriste në pjesë të tjera të botës. Ai tha se NATO-ja duhet të marrë hapa konkretë për të shtuar efektshmërinë ushtarake në Afganistan, kur forcat e saj luftojnë kundër forcave taleban.

Shefi i NATO-s tha gjithashtu se ministrat kishin diskutuar lidhur me rolin e aleancës në Kosovë.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, dhe sekretari i jashtëm britanik, David Miliband, thonë se në Afganistan po bëhet përparim, megjithë sulmet e reja nga kryengritësit talebanë.

Diplomatët e politikës së jashtme i bënë këto komente sot gjatë një konference shtypi me presidentin afgan, Hamid Karzai, në kryeqytetin Kabul.

Sekretarja Rajs u tha gazetarëve se misioni i NATO-s dhe i forcave afgane në Afganistan po funksionon, por nuk ka përfunduar. Ajo tha se forcat e koalicionit po përballojnë sfidën për të mundur talebanët.

Presidenti afgan Hamid Karzai vlerësoi vendet e NATO-s që kanë trupa në Afganistan. Të tre udhëheqësit mbështetën idenë e një të dërguari të posaçëm të Kombeve të Bashkurara për Afganistanin për të ndihmuar në rindërtimin e vendit.

Diplomatët e politikës së jashtme Rajs dhe Miliband u takuan me zotin Karzai pasi bënë sot një vizitë të papritur në Kandahar, një ish bazë e talebanëve. //rd//

XS
SM
MD
LG