Lidhje

Jeta në rrethinat e Francës


Mbi dy vjet pasi trazirat e dhunshme në rrethina përfshinë Francën, presidenti i vendit Nicolas Sarkozy paraqet sot një plan ambicioz për të rregulluar gjendjen në disa nga qytetet më të varfra ku jetojnë shumë emigrantë afrikanë dhe arabë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Lisa Bryant vizitoi një rrethinë në Veri të Parisit, Sevranin, një nga qytetet më të varfra të Francës dhe njofton se çfarë ka ndryshuar dhe çfarë jo, që nga dhuna e vitit 2005.

Agjencia e vogël e punësimit në qendër të Sevranit, është gati për t’u mbyllur për kohën e drekës, por mbi 10 të rinj janë ende atje duke kontrolluar internetin për oferta për punë dhe duke rishikuar kërkesat e tyre për punë. Mes atyre që kërkojnë punë është mësuesi 26 vjeçar Badreddine Ghomari, që shpreson të gjejë një punë në administratën civile. Mbiemri Afrikano-Verior nuk e ndihmon. Ai thotë se nuk e ka provuar drejtpërdrejt diskriminimin në tregun e punës në Francë, por shton se ai njeh plot njerëz që e kanë provuar atë ndjesi.

Zoti Ghomari thotë se një kushëri i tij nuk mori asnjë përgjigje nga punëdhënësit ku kishte kërkuar për punë. Pastaj ai dërgoi një kërkesë me një emër që dukej francez dhe mori përgjigje pozitive. Një tjetër i ri, 25 vjeçari Samir Bendjibbour e pranon se është e vështirë që të gjesh punë. Është e vështirë të jesh i ri në këtë rrethinë të klasës punëtore, thotë ai. Bendjibbour thotë se Sevrani është një qytet pa të ardhme për të rinjtë. Ai thotë se është e pamundur që të fitosh para me punë të ligjshme, kështu që të rinjtë punojnë në mënyrë të paligjshme, që në Sevran shpesh do të thotë se të tregëtosh drogë.

Sociologët thonë se e njëjta ndjesi e mungesës së shpresës kontribuoi në ndezjen e trazirave dymujore në të gjithë vendin në fund të vitit 2005. Dhuna filloi në Sevran dhe rrethina të tjera duke prekur Parisin dhe u përhap në pjesë të tjera të vendit. Franca u trondit përsëri nga tre ditë përleshje mes rinisë të rrethinave dhe policisë nëntorin e kaluar.

Në një anketë, rezultatet e së cilës u bënë të njohura këtë javë, 94 për qind e francezëve të pyetur besojnë se ka shumë shanse për dhunë të mëtejshme në rrethina.

Në Sevran, skeletet e djegura të makinave janë zhdukur. Por zyrtarët vendas dhe punonjësit socialë thonë se shumë pak gjëra të tjera kanë ndryshuar që pas trazirave në këtë qytet, ku rreth gjysma e popullsisë është me origjinë emigrante. Papunësia është rreth 17 për qind, rreth dyfishi i mesatares në shkallë kombëtare.

Mes të rinjve nën moshën 26 vjeç, ajo arrin në 35 për qind. Didier Caheric, është kreu i programeve sociale në një nga komplekset e banesave me ndihma nga shteta. Ai thotë se shumë njerëz mezi e përballojnë jetesën. Ata kanë probleme shëndetësore, probleme strehimi, higjiene. Ai thotë se niveli i krimit dhe i trafikut të drogës është gjithashtu i lartë, dhe forcat policore të pamjaftueshme.

Jean-François Delannoy është nëndrejtor i Competence-Employ, një agjenci joqeveritare punësimi në Sevran. Zoti Delannoy thotë se ka pak biznese në qytet, kështuqë ka pak mundësi punësimi. Mundësia më e madhe për punë është tek aeroporti Charles de Gaulles aty pranë. Por shumë banorë nuk janë në gjendje të përballojnë financiarisht blerjen e makinave për të shkuar atje dhe transporti publik ka probleme.

Presidenti Sarkozy është zotuar të zbatojë një plan Marshall për rrethinat. Ndërsa në Janar, ministrja e qyteteve Fadela Amara, që është edhe vetë emigrante nga rrethinat, skicoi bazat e propozimit që zoti Sarkozy deklaron sot. Aty parashikohet hapja e 40 mijë vendeve të reja pune për të rinjtë dhe më shumë mundësi për arsim dhe transport.

Megjithëse propozimi është vlerësuar në një farë mase, zoti Sarkozy nuk është shumë popullor në rrethina. Shumë vetë i kujtojnë ditët e tij si ministër i rreptë rendi. Kështu që nuk është për t’u befasuar që propozimet e tij për rigjallërimin e rrethinave janë pritur kryesisht me reagime negative në vende si Sevrani. Mes tyre është edhe kryetari komunist i bashkisë së Sevranit, Stephane Gatignon. Zoti Gatignon thotë se Franca është vend i pasur, por paratë nuk janë shpërndarë në mënyrë të drejtë, duke lënë në gjendje të mjeruar qytete si Sevrani. Këtu ka më pak forca policore sesa në vitin 2001, thotë ai. Nuk ka fonde për të realizuar shumë projekte zhvillimi. Ai thotë se megjithëse Franca flet për barazi dhe vëllazëri, në vend ka gjithnjë e më shumë pabarazi dhe plani i zotit Sarkozy për rrethinat nuk do ta përmirësojë gjendjen. //rd//

XS
SM
MD
LG