Lidhje

Përparësitë e presidentit të ardhshëm në politikën e jashtme


Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara do të ballafaqohet me disa çështje të vështira në politikën e jashtme. Por ndërkohë që gara presidenciale po hyn në një fazë kritike, ekspertët thonë se politika e jashtme nuk është bërë ende një çështje kyqe në këtë garë.

Lufta kundër terrorizmit, angazhimi amerikan në Irak, ambicjet bërthamore të Iranit, si dhe frika nga globalizimi dhe shqetësimet rreth çmimeve të larta të energjisë janë ndër çështjet kryesore të politikës së jashtme me të cilat do të ballafaqohet presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara. Peter Beinart nga Këshilli për Politikë të Jashtme thotë se këtë vit demokratët dhe republikanët kanë qasje të ndryshme ndaj politikës së jashtme. Analisti thotë se kur republikanët flasin mbi politikën e jashtme, ata zakonisht nënkupton luftën kundër terrorizmit. “Mendoj se për republikanët lufta kundër terrorizmit është pikë dominante e politikës së jashtme amerikane ashtu siç ka qenë Lufta e Ftohtë në politikën e jashtme amerikane të viteve ’40 dhe 80. Ata e përkufizojnë luftën kundër terrorizmit në një kuptim të gjerë duke e mos kufizuar atë vetëm me luftën kundër xhihadistëve suni dhe Al Kaidës por në një prizëm që përfshin edhe qëndrimin që duhet të mbajë Amerika ndaj Iranit, Sirisë, konfliktit izraelito-palestinez, Irakun e të tjera. E tërë kjo është e lidhur në atë që quhet lufta kundër terrorizmit dhe ka shumë pak diskutime rreth rreziqeve joushtarake ndaj sigurisë amerikane".

Demokratët në anën tjetër, sipas analistit Beinart nuk e shohin politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare nga i njëjti prizëm. “Demokratët shpenzojnë më tepër kohë duke shqyrtuar çështje që mund të konsiderohen si siguri humane, si për shembull ndikimin që mund ta kenë mardhëniet me Kinën ndaj vendeve të punës së amerikanëve. Demokratët gjithashtu flasin më tepër rreth çështjeve si ngrohja globale, rreziqet ndaj shëndetit të publikut, dhe pa dyshim rreth ekonomisë ndërkombëtare në çështje si tregtia dhe investimet".

Por redaktori i revistës Politika e Jashtme, Gideon Rose, mendon se politika e jashtme e ka humbur rëndësinë në fushatat zgjedhore. Ai thotë se fjalori që përdorin kandidatët gjatë fushatës zgjedhore nuk mund të merret si një tregues se çfarë politike të jashtme do të ndjekin ata pasi të marrin detyrën sepse politika e jashtme ndikohet nga faktorë të jashtëm dhe jo nga zotime të marra gjatë fushatës zgjedhore. “Pa marrë parasysh se kush do të jetë president në të ardhmen, çështje që do të ndodhin gjatë asaj kohe do të ndikojnë në politikën e jashtme dhe ne nuk e kemi idenë se cilat do të jenë ato çështje.”

Analisti Max Boot nga Këshilli për Politikë të Jashtme dhe njëkohësisht këshilltar për politikë të jashtme i senatorit John McCain thotë se politika e jashtme luan një rol të rëndësishëm për të fituar përkrahjen e amerikanëve. “Mendoj se për çudi ajo është bërë shumë temë e rëndësishme. Nëse shikon për shembull ringjalljen politike të senatorit John McCain ajo kryesisht është ndikuar nga çëndrimi i tij në çështje të politikës së jashtme.”

Senatori nga Arizona tani udhëheq ndër kandidatët republikanë në garën presidenciale pasi në fillim të saj ai pësoi një rënie të madhe. Fushata e zotit McCain është bazuar kryesisht në qëndrimin e tij në politikën e jashtme dhe shërbimin e tij ushtarak në forcat e armatosura. Tani për tani, çështje të brendshme si ekonomia dhe sigurimet shëndetsore dominojnë debatet politike ndërmjet kandidatëve. Analistët mendojnë se politika e jashtme do të bëhet më e rëndësishme gjatë zgjedhjeve të përgjithshme, pasi të dyja partitë të emërojnë kandidatin e tyre për president. //rd//

XS
SM
MD
LG