Lidhje

Thaçi: Kemi siguruar mbështetjen e 100 vendeve për pavarësinë


Autoritetet politike në Prishtinë thanë se kanë siguruar mbështetjen e më se 100 shteteve të botës për pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, ripërsëriti dhe një herë se pavarësia tashmë është çështje e kryer, ndërsa institucionet e Kosovës, po kryejnë përgatitjet e fundit para vendimit për statusin. Ai hodhi poshtë sot çdo mundësi për zgjatjen e këtij procesi për shkak të zhvillimeve aktuale në Serbi. “Kemi konfirmimin e rreth 100 shteteve të botës që janë të gatshme ta njohin pavarësinë menjëherë pas shpalljes së saj. Tash duhet t’i kushtojmë rëndësi njohjes ndërkombëtare për shtetin e Kosovës. Do të kemi njohjen e fuqishme, njohjen masive dhe të konsoliduar", tha zoti Thaçi.

Udhëheqësit më të lartë të Kosovës thanë se qëndrueshmëria dhe qetësia e përgjithshme e vendit janë faktor thelbësorë që shteti i ri i Kosovës, siç thanë ata, të dëshmojë se është i gatshëm të jetë pjesë e familjes së vendeve të lira dhe sovrane.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Joachim Ruecker, tha ndërkaq se institucionet e Kosovës janë të përgatitura për tu përballur me çfarëdo sfide që mund të shfaqet në ditët dhe javët e ardhshme. “Kur them ne mendoj në institucionet e Kosovës, Shërbimin Policor të Kosovës, Policinë e UNMIK-ut, po ashtu edhe përgjegjësit e tjerë si KFOR-i. Ju e dini se strukturat paralele në Kosovë nuk janë të ligjshme dhe po që se ka ndonjë dëshmi për ekzistimin e strukturave paralele ne do të mundohemi të parandalojmë veprimin e tyre”, tha zoti Ruecker.

Sipas tij ekzistojnë struktura paralele në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë, që do të legalizohen në bazë të propozimit të zotit Ahtisaart, mirëpo, tërhoqi vërejtje që, nëse flitet për strukturat paralele në aspektin administrativ, UNMIK duhet të jetë i kujdesshëm për veprimin e tyre.

Afrimi i fundit të procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës ka shtuar shqetësimet për sigurinë në vend për shkak të dallimeve të thella ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Autoritetet thonë se kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe qetësisë në ditën e shpalljes së pavarësisë, por edhe pas saj. //rd//

XS
SM
MD
LG