Lidhje

Filmat në Shtetet e Bashkuara dhe tema e Lindjes së Mesme


Një numër filmash kohët e fundit kanë trajtuar angazhimin e Amerikës në Lindjen e Mesme. Qofshin filma me aksion apo dramatikë, satirizues apo dokumentarë, ata nënvizojnë përpjekjen e industrisë amerikane të filmit për të përshkruar luftën dhe dilemat e saj duke arritur të nxjerrin fitime.

Tendenca e kthimit tek filmat me luftë ndërkohë që mjegulla e saj është larguar nga mendja e publikut, nuk është diçka e re thotë profesori i kinematografisë Jonathan Kuntz në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles. "Cikli i filmave me luftë nga Vietnami doli në fundin e viteve ’70, disa vjet pas tërheqjes së Amerikës nga Vietnami".

Dhe ndërsa Shtetet e Bashkuara janë ende të angazhuara në luftën në Irak, Kuntz thotë se amerikanët po vlerësojnë tashmë ndikimin e kësaj lufte në vend dhe jashtë tij. "Në shumë mënyra, ky cikël i ri filmash mbi Irakun që po shfaqen, që në pjesën më të madhe janë në frontin e brendshëm, duket se portretizojnë një opinion publik shumë skeptik. Ushtarët kthehen me kritika mbi mënyrën e drejtimit të luftës, me përpjekjet për të fshehur krime e situata të tjera si këto".

Një film i tillë është filmi dramatik In the Valley of Elah. Hank Deerfield, një oficer ushtarak karriere luajtur nga Tommy Lee Jones, përpiqet të zbulojë të vërtetën e zhdukjes së të birit pasi është kthyer nga Iraku. Jones është kandidat për çmimin Oskar për këtë interpretim.

Kuntz thotë se shumë filma kanë tone kritike ndaj administratës së presidentit Bush dhe janë realizime të regjizorëve liberalë të cilët e shohin punën e tyre si shërbim ndaj publikut. Një shembull i tillë është drama politike e Robert Redford, Lions for Lambs.

Megjithëse synimi ishte të realizohej një film provokues, filmi tingëllon predikues aq sa rrezikon të zemërojë publikun. Një film tjetër, si ai i Brian De Palma, Redacted rreth përdhunimit të një vajze irakiane nga ushtarët amerikanë janë aq agresivë në mesazhin e tyre saqë mund të polarizojnë publikun amerikan.

Pavarësisht se ç’efekt mund të ketë ky film në botën myslimane, ai është realizuar për publikun amerikan. Të njëjtën gjë bën Rendition i Gavin Hood që flet rreth rrëmbimit dhe marrjes në pyetje të një personi, i cili gabimisht konsiderohet nga CIA si terrorist. Këta filma nuk janë shumë ekstravagantë apo të suksesshëm, por shumë janë vlerësuar për meritat e tyre artistike. Disa kryesojnë për çmimet Oscar, si dokumentari “No End in Sight” që flet rreth procesit që çoi në vendimin e administratës për të pushtuar Irakun dhe “Taxi to the Darkside”, rreth metodave ekstreme të marrjes në pyetje të të burgosurve në Abu Ghraib dhe Guantanamo.

Shumë filma të tillë pritet të dalin në kinema në të ardhmen. Mbetet për t’u parë nëse ata do të nxisin dialogun rreth angazhimit së Amerikës në Lindjen e Mesme apo do të polarizojnë amerikanët dhe audiencën ndërkombëtare. //rd//

XS
SM
MD
LG