Lidhje

SHBA: Sistemi me delegatë në zgjedhjet paraprake presidenciale


Rruga për në Shtëpinë e Bardhë kalon nëpër të gjitha shtetet amerikane përmes zgjedhjeve partiake. Për të arritur deri në zyrën më të lartë ekzekutive të Amerikës, kandidatët duhet të fitojnë fillimisht emërimin e partisë së tyre. Ky vendim merret nga delegatët që dërgojnë degët e partisë nga secili shtet.

Fletëvotimet që marrin në dorë zgjedhësit në votimet partiake kanë emrat e kandidatëve presidencialë. Por kur votuesit zgjedhin, ata faktikisht e hedhin votën për delegatët për kuvendet partiake, të cilët votojnë për një kandidat të caktuar. Konkurenti për Shtëpinë e Bardhë, i cili ka siguruar më shumë delegatë merr emërimin e partisë.

Kur të mblidhet kuvendi kombëtar i demokratëve në Denver të Kolorados më 25 gusht, pritet të marrin pjesë gjithësej 4 mijë e 49 delegatë. Një kandidati i duhen 2 mijë e 25 delegatë, pra gjysma e numrit të përgjithshëm plus një më shumë, për të siguruar emërimin e partisë si konkurent në zgjedhjet e përgjithshme.

Partia Republikane dërgon 2 mijë e 381 delegatë në kuvendin e saj në St. Paul të Minesotës. Një kandidati i duhen 1 mijë e 191 delegatë për të marrë emërimin e Partisë si kandidati republikan në zgjedhje.

Për të dyja partitë kryesore, delegacioni i secilit shtet përbëhet nga një numër komponentësh. Zyrtarja e Komitetit Kombëtar Demokrat, Stacie Paxton, shpjegon përbërjen e kontigjentit të Partisë Demokrate:

“Për shembull, shteti i Kalifornisë dërgon 441 delegatë. Nga këta, 370 delegatë janë të përcaktuar, pra ata i përkasin një kandidati ose një tjetri. Ka 71 delegatë të tjerë, disa prej të cilëve janë anëtarë të Komitetit Kombëtar Demokrat, të tjerët janë anëtarë Kongresi. Ata nuk i përkasin asnjërit kandidat por edhe ata votojnë në kuvendet partiake”.

Republikanët e Kalifornisë do të dërgojnë 173 delegatë në kuvend. 159 prej tyre u përkasin njërit apo tjetrit kandidat, ndërsa 14 të tjerë janë zyrtarë të Degës së Partisë në Kaliforni ose zyrtarë të zgjedhur. 14 delegatë të tjerë nuk i përkasin asnjë kandidati.

Dy partitë kanë sisteme të ndryshme për të caktuar delegatët në kampin e njërit apo tjetrit kandidat. Demokratët funksionojnë në bazë të sistemit proporcional, pra nëse një kandidat siguron një përqindje të caktuar votash, ai merr atë përqindje të delegatëve të atij shteti. Ndërsa republikanët në disa shtete i ndajnë delegatët në mënyrë proporcionale me votat e siguruara nga kandidatët, në disa të tjerë, kandidati që mori shumicën e votave merr të gjithë delegatët.

Në kuvende hidhen në votë emrat e kandidatëve. Si për Partinë Demokrate, ashtu edhe për atë Republikane, delegatët që i përkasin një kandidati do të votojnë për atë kandidat në raundin e parë. Nëse asnjë delegat nuk merr 50 për qind të votave plus një delegat më shumë, zhvillohen raunde të tjera votimesh. Delegatët në këto raunde mund të votojnë për kandidatë të tjerë, dhe jo me doemos për kandidatin të cilit i përkiste fillimisht vota e tyre. Por prej dekadash, asnjëra prej partive kryesore nuk ka pasur nevojë të zhvillojë një raund të dytë votimesh për zgjedhjen e kandidatit fitues.

E gjithë vëmendja është tek kandidatët. Por procesi që u siguron atyre konkurimin në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit është në dorën e të tjerëve, dhe përbën një hallkë të rëndësishme në procesin zgjedhor të Shteteve të Bashkuara. (ze)

XS
SM
MD
LG