Lidhje

Ceremonia e përvitshme e çmimeve Grammy


Nis mbas pak orësh, ceremonia e përvitshme e çmimeve Grammy në muzikë. Los Anxhelesi do të mirëpresë këngëtarët dhe të ftuarit e kësaj mbrëmje të madhe. E ndërsa kandidatët tashmë janë përfshirë nga ethet e çmimeve, flitet se mes të ftuarve do të jetë edhe e famshmja Tina Turner, por ky lajm nuk konfirmohet ende nga organizatorët.

Në Qendrën Stejpëlls të Los Anxhelesit, në ceremoninë e çmimeve Grammy kandidatët presin me padurim për të mësuar se cili do të jetë fituesi i kategorive të kësaj ceremonie.

Kanye Uest, renditet si kandidat në 8 ketegori, duke u pasuar nga këngëtarja britanike Emi Uajnhaus, e cila konkuron për 6 kategori.

Analistët dhe kritikët kanë shfaqur mendimet e tyre. Melinda Njuman, gazetare e kulturës mendon se në kategorinë Kënga e Vitit, pa dyshim fiton Rijhana. Asnjë këngë tjetër nuk arriti të ngulitet në mendjet e njerëzve si refreni i këngës së saj Umbrella, thotë këngëtarja.

Erik Pedersen, koordinator i muzikës për revsitën The Holliwood Reporter thotë se çmimin për Këngën e Vitit duhet ta fitojë Emi Uajnhaus me Rehab, një këngë që dëgjohej kudo gjatë 2007-tës, thotë ai.

Ndërkohë si më pranë çmimit për vokalistin më të mirë sipas kritikës shihen Poll Mekartni me këngën e tij “Dance Tonight” dhe Xhastin Timbërlejk me “What goes around... comes around”.

Megjithatë spektakli dhe të ftuarit pritet të jenë pjesa më tërheqëse për të pranishmit në sallë dhe miliona teleshikues. Bijance, Keri Andërud, Rihana dhe Fu Fajtërs janë emrat e konfirmuar deri tani. Ndërkohë pritet rikthimi në skenë i së famshmes Tina Turner në një duet me Bijance. (ze)

XS
SM
MD
LG