Lidhje

Vdes në moshën 80 vjeçare anëtari i kongresit amerikan, Tom Lantosh


Anëtari i njohur i Kongresit amerikan, Tom Lantosh, i vetmi i mbijetuar i Holokaustit i zgjedhur në kongresin amerikan, vdiq në moshën 80 vjeçare. Zëdhënësi i tij e bëri njoftimin sot në mëngjes.

Para një muaji ai njoftoi se nuk do të kandidonte për një mandat tjetër pasi ishte diagnostikuar me kancer në ezofag.

Demokrati Lantosh nga Kalifornia u zgjodh anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të kongresit amerikan në vitin 1980 dhe po shërbente mandatin e 14-të. Ai ishte kryetar i Komisionit për Çështjet e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

Në njoftimin për tërheqje nga jeta politike dhe shkaqet e tij, zoti Lantosh tha se vetëm në Shtetet e Bashkuara një i mbijetuar fare i varfër i Holokaustit dhe një luftëtar i lëvizjes sekrete anti nazizmit mund të arsimohej, të rriste familjen dhe të shërbente në kongresin amerikan.

Tom Lantosh njihej edhe si një nga mbështetësit e pavarësisë së Kosovës shumë kohë përpara se kjo çështje të merrte rëndësinë që ka sot në skenën ndërkombëtare.

Si bashkëthemelues i grupit të Kongresit për të drejtat e njeriut që nga viti 1983, Tom Lantosh mbështeti ndihmën për ish vendet komuniste të Europës Lindore dhe të ish Bashkimit Sovjetik. Ai ishte një kritik i hapur i shkeljeve të të drejtave të njeriut në botë edhe kur përfaqësonte zërin e një pakice të vogël në Kongres.

Lantosh, mbështetës i palodhur i njerëzve të shtypur, nuk ngurroi kurrë të ndërmerrte hapa të pazakontë, kur ishte fjala për rrëzimin e tiranëve, thotë ish zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Palmer.

"Ai ishte i gatshëm të takohej me udhëheqës të tillë si Gaddafi, të cilët janë jopopullorë dhe me të cilët është e rrezikkshme të takohesh, e rrezikshme në kuptimin e politikës së brendëshme amerikane. Për Tom Lantosh-in ishte e rëndësishme hapja e këtyre vendeve, se në kuadrin e kësaj hapjeje do të vinte përmbysja e këtyre diktatorëve. Ai ishte i gatshëm të rrezikonte emrin e tij duke u takuar me Gadafin, me udhëheqjen e Koresë së Veriut dhe me shumë të tjerë".

Charles Gati, profesor në Universitetin Johns Hopkins dhe mik i vjetër i tij, e ka shoqëruar zotin Lantos në shumë prej udhëtimeve të tij në botë. Ai thotë se bindjet e thella të kongresmenit e kanë zanafillën në përvojën e tij personale të jetës.

"Vendi nga ai vinte ishte një përvojë e anti-totalitarizmit. Ai i urrente me pasion diktatorët, urrente njerëzit dhe politikanët që diskriminojnë të tjerët mbi bazën e racës, ngjyrës, origjinës ose fesë".

I lindur në Hungari në vitin 1928, Lantosh ishte i vetmi anëtar i Kongresit që i kishte mbijetuar Holokaustit.

Ai imigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1947 si student, pa asnjë para në xhep, dhe arriti të lerë gjurmë të pashlyeshme në politikën e jashtëme amerikane si autor i shumë ligjeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kudo në botë.

"Ai ishte i jashtëzakonshëm si një kongresmen intelektual. Ndoshta pak njerëz e dinë por shpesh ai mungonte në aktivitetet e mbrëmjes që janë pjesë normale e jetës së kongresmenëve duke preferuar të shkonte në shtëpi për të lexuar një libër".

Mark Palmer, ish ambasador amerikan në Hungari, thotë se një nga fitoret më të mëdha të zotit Lantosh ishte heqja e telave me gjemba në kufirin mes Hungarisë dhe Austrisë.

"Duke u shoqëruar shpesh me të, mund të them se momenti i tij më i madh ka qenë prerja e telave me gjemba në kufirin hungarez. Kjo është një copë teli me gjemba dhe Tom Lantosh mori pjesë në prerjen e tij në kufirin mes Hungarisë dhe Austrisë".

Në vitin 1989, prerja e telit me gjemba mes Evropës së Lirë dhe Evropës së dominuar nga Sovjetikët shënoi fundin e komunizimit në atë kontinent.

Disa nga kritikët e zotit Lantosh thonë se angazhimi i tij në përhapjen e lirisë rrezikonte stabilitetin gjeopolitik. Ai ka qenë vazhdimisht një mbështetës i palëkundur i aspiratave për vetvendosje në ish Jugosllavi.

Charles Gati thotë se Tom Lantoshi nuk ishte ai që i përshpejtoi lëvizjet për pavarësi në Ballkan, por ai qendroi në një hap me dëshirat e popujve për liri.

"Shpërbërja e Jugosllavisë u bë nga populli i atij vendi. Nuk mendoj se njohja e Kroacisë nga Gjermania shumë vite më parë ose komentet e tij të herëpasherëshme mund të shihen si kontribute të jashtëzakonëshe, por ai u dha inkurajim popujve që dëshironin të çliroheshin, sidomos shqiptarëve të Kosovës".

Në janar 2003, zoti Lantos së bashku me ligjvënësin Henry Hyde, paraqitën në Kongresin amerikan një projektrezolutë që bënte thirrje për pavarësinë e Kosovës. Po atë vit, në një seancë të Kongresit, zoti Lantos argumentoi se pavarësia e Kosovës do t’i shërbente paqes në rajon.

“Për të arritur një paqe të drejtë dhe të qendrueshme në Europën Juglindore, në këtë rajon me trazira, ne duhet t’i japim Kosovës pavarësinë dhe duhet t’ia japim tani".

Familja luajti një rol të jashtëzakonshëm në jetën e Tom Lantoshit. Gruaja e tij Anetë, të cilën ai e kishte njohur 70 vjet më parë, ndante me të pasionin për çuarjen përpara të lirisë në botë. 80-vjeçarin Lantosh dhe Anetën mund t’i shihje çdo ditë tek ecin dorë për dore për në zyrën e kongresmenit.

Kohët e fundit Kryetari i komisionit të fuqishëm për punët e jashtëme, njoftoi se do të largohej kur atij t’i mbaronte mandati në janar të vitit 2009. Tom Lantosh kishte bërë të ditur se po luftonte me kancerin e ezofagut dhe kishte premtuar se sëmundja nuk do t’i ndalë përpjekjet e tij për lirinë në botë. Dhe ky ishte ndoshta i vetmi premtim në jetën e tij që ai nuk mundi të mbante. Tom Lantosh vdiq sot në Qendrën Mjeksore të Marinës në Bethesda të shtetit Maryland, në moshën 80 vjeçare. (ze)

XS
SM
MD
LG