Lidhje

KFOR-i i angazhuar më shumë për sigurinë në Kosovë


Vetëm pak ditë para shpalljes së pritur të pavarësisë së Kosovës, komandanti i KFOR-it, gjenerali Ksavier de Marnak vizitoi disa fshatra për të vlerësuar gjendjen e sigurisë dhe për të biseduar me autoritetet lokale, të cilët po marrin masa që kjo periudhë të kalojë qetë. Gjenerali de Marnak ishte në qytezën e Gllogovcit, ku u takua me kryetarin e bashkisë.

Ekzistojnë shqetësime se festimet me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës mund të shkaktojnë incidente mes popullatës shqiptare dhe banorëve serbë.

Gjenerali de Marnak tha se janë marrë të gjitha masat për të minimizuar rreziqet, madje KFOR-i është gati të ndërhyjë nëse do të jetë nevoja.

“Due të theksoj përgjegjësinë që kanë udhëheqësit në nivel komune për të marrë masa për ruajtjen e sigurisë e të stabilitetit në bashkërendim me KFOR-in”. Ne kemi bashkëpunuar me qeverinë e Kosovës dhe me mbështetjen e të gjithë udhëheqësve dhe vullnetin e mirë të popullatës jam i sigurtë se do ta kalojmë shumë mirë këtë periudhë”, tha komandanti i NATO-s për Kosovën.

Ndërsa një numër i madh njerzish pritet të dalin nëpër rrugë për të festuar pavarësinë, autoritetet lokale po përpiqen të organizojnë ngjarje festive në zonat e tyre për të shmangur çdo konfrontim të mundshëm.

“E sigurova gjeneralin se do të bëjmë ç’është e mundur për të ruajtur paqen dhe qëndrueshmërinë në ditët e ardhshme para zgjidhjes përfundimtare të statusit të ardhshëm të Kosovës”, tha kryetari i bashkisë së Glogovcit, Nexhmi Demaku, pasi bëri një turne nëpër qytet me gjeneralin de Marnak.

Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian mbështesin pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që Rusia aleatja e Serbisë, thotë se njohja e pavarësisë krijon një precedent të rrezikshëm për rajone e vende të tjera në botë. (ze)

XS
SM
MD
LG