Lidhje

Obama, Mekein fitojnë në Uashington, Virxhinia dhe Merilend


Kandidati presidencial, demokrati Barak Obama shpreson të vazhdojë fitoret përkundrejt rivales së tij, senatores Hillari Klinton.

Senatori Obama fitoi dje në kryeqytetin Uashington, Virxhinia dhe Merilend si dhe në garat e mëparshme në shtetet Mein, Luiziana, Negraska dhe Uashington. Ai gëzon mbështetje më të madhe në Hauai dhe Uiskonsin.

Në Partinë Republikane, senatori Xhon Mekein përforcoi pozitën për të siguruar emërimin e partisë pas fitoreve të djeshme në Uashington, Virxhinia dhe Merilend.

Senatori Barak Obama filloi që mbrëmë fushatën në Wisconsin ku zhvillohen zgjedhjet e ardhshme paraprake, ndërkohë që një grup përkrahësish ishin mbledhur për të festuar fitoren e tij në zgjedhjet e Potomakut.

“Megjithëse fituam në Uashington, hovi ynë nuk do të ndalet derisa të sjellim ndryshim në Uashington. Sonte e treguam që jemi në atë rrugë”.

Shumica e votuesve në Uashington janë afrikano-amerikanë, segmenti demgrafik që i jep përkrahjen më të fortë zotit Obama.

Senatorja Hillari Klinton u nis dje nën stuhinë e acartë të Uashingtonit për të vazhduar fushatën në një prej dy shteteve kryesore ku zhvillohen zgjedhjet e ardhshme.

Ajo shkoi në zonën El Paso të Teksasit, me një popullsi të madhe latino-amerikane. Këtu si dhe në Ohio do të zhvillohen pas 3 javësh zgjedhjet paraprake.

Zonja Klinton thotë se ka përvojën e nevojshme për të sjellë reforma në kujdesin shëndetësor, për të rritur pagat dhe për të ndalur luftën në Irak.

Senatori Xhon Mekein siguroi mbrëmë fitore në kampin republikan dhe shkoi në Virxhinia për të festuar me përkrahësit. Ai ka siguruar deri tani më shumë se gjysmën e delegatëve të nevojshëm për të marrë emërimin e partisë së tij.

Pas zgjedhjeve të djeshme paraprake, senatori Obama foli para mijëra përkrahësve të tij në Medison të shtetit Uiskonsin. Ai tha se nuk do të ndalojë deri sa në Uashington të bëhen ndryshime.

Zoti Mekein foli para përkrahësve në Alexandria të shtetit Virxhinia, ku tha se republikanët nuk duhet të lejojnë që Obama apo Klinton të fitojnë garën për në Shtëpinë e Bardhë.

Në këtë fazë të procesit të zgjedhjeve paraprake, duket se vetëm kampi republikan ka një kandidat dominues, ndërkohë që demokratët presin rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme. Megjithatë, në votimet e mbrëmshme zgjedhësit theksuan edhe një herë se janë problemet kryesore të kombit ato që diktuan zgjedhjen e tyre.

Shumë zgjedhës në këtë qendër votimesh në Arlington të Virxhinias janë anëtarë të Partisë Demokrate. Por Xhejmi Dromen është republikan dhe votoi për senatorin Xhon Mekein. Ai thotë se për të, shqetësimet kryesore janë gjendja e ekonomisë dhe siguria kombëtare. Ai thotë se dëshiron gjithshtu paqe jo vetëm në Irak por në të gjithë Lindjen e Mesme.

“Shtetet e Bashkuara kanë qenë nxitëse të një sërë zhvillimesh që shohim sot në botë. Mendoj se është e rëndësishme që Amerika të angazhohet për zgjidhjen e këtyre problemeve për t’u dhënë një përfundim pozitiv”.

Hope Osborn nga Uashingtoni thotë se përfundimi i luftrave në Irak dhe Afganistan janë shqetësime kryesore për të. Ajo shton se pret nga Presidenti i ardhshëm të angazhohet edhe për t’u ofruar kujdes shëndetësor me kosto të përballueshme qytetarëve.

“Sapo kam bërë një operacion. Siguracionet mjekësore më mbulojnë një pjesë të shpenzimeve, por të tjerat duhet t’i paguaj vetë dhe kjo ndikon shumë në standartim tim të jetesës. Nganjëherë disa prej nesh duhet të zgjedhin ose të kenë kujdes shëndetësor ose të përballojnë koston e ushqimit”.

Votues të tjerë si Danilo Pulido shprehen të zhgënjyer nga drejtimi që i ka dhënë vendit Presidenti Bush. Ai uron që të zgjidhet një President, i cili do të tregohet më i përgjegjshëm në rolin e komandantit të përgjithshëm.

"Shqetësimi im kryesor është autoriteti tejet i gjerë që ka marrë në dorë presidenti gjatë 8 vjetëve të fundit. Nuk ka pasur thuajse aspak kontroll dhe ekuilibër ndërmjet pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv. Shpresoj që kjo prirje të neutralizohet”.

Një tjetër votuese shprehet se imigracioni është një çështje parësore në zgjedhjen e saj në këto votime. Shumë votues të tjerë luhaten ndër këto tema, ekonomia, lufta në Irak, imigracioni, kujdesi shëndetësor dhe terrorizmi. (ze)

XS
SM
MD
LG