Lidhje

Dora Bakojanis në Uashington: Ujërat për Kosovën nuk mund të rrjedhin mbrapsht


Ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis, tha sot në Uashington se për çështjen e Kosovës ujrat nuk mund të rrjedhin mbrapsht, por ajo bëri thirrje, që për këtë çështje të mos bëhet presion dhe të mos kryehen veprime të nxituara. Zonja Bakojanis foli në një takim të organizuar nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike për transformimet në Evropën Juglindore dhe sfidat që përbën ai rajon.

Pritet gjerësisht që udhëheqja e Kosovës të shpallë pavarësinë më 17 shkurt dhe që pavarësia të njihet nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të Bashkimit Evropian. Disa vende të BE-së si, Qiproja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Spanja kanë thënë se do të presin për të parë se si do të zhvillohen ngjarjet.

Ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis, tha sot në Uashington se pavarësia e Kosovës është eventualisht e pashmangshme, por theksoi pozitën e qeveirsë së saj se për këtë çështje nuk duhet vepruar me nxitim.

Zonja Bakojanis tha se në takimin e ministrave të Jashtëm që do të zhvillohet të hënën në Bruksel do të bëhet e qartë se ku qendron Bashkimi Evropian lidhur me këtë çështje.

"Nuk besoj që nxitimi të jetë produktiv për sa i përket çështjes së Kosovës. Fuqitë rajonale e kanë të qartë se ujrat nuk rrjedhin mbrapsht. Por ne jemi të mendimit se duhet të jemi shumë më të kujdesshëm dhe të përgatitemi pa u nxituar, duke patur gjithashtu parasysh se BE-ja duhet të jetë e bashkuar”.

Kryediplomatja greke tha se Bashkimi Evropian ka nevojë të zhvillojë diskutime të mëtejshme për të dalë me një qendrim të përbashkët. Kjo është e domosdoshme më shumë se kudo gjetkë në Kosovë, sepse Kosova do të jetë prova e parë për unitetin e Bashkimit Evropian pas nënshkrimit të traktatit të Lisbonës. //lk

XS
SM
MD
LG