Lidhje

“Gazetarët pa Kufi”: Periudha aktuale, e rrezikshme


Organizata Gazetarët Pa Kufi, e cila ndjek zhvillimet në media, thotë se periudha aktuale është e rrezikshme për gazetarët. Organizata thotë se udhëheqësit botërorë dhe institucionet ndërkombëtare nuk po bëjnë sa duhet për të mbrojtur lirinë e shtypit dhe i cilëson vendet perëndimore si të dobëta në angazhimin e tyre. Organizata Gazetarët pa Kufi e bën këtë analizë në raportin e saj vjetor:

Gazetarët Pa Kufi thotë se 86 gazetarë u vranë vitin e kaluar, duke e bërë atë vit më vdekjeprurësin që nga 1994. Drejtoresha e zyrës së Uashingtonit të kësaj organizate, Lucia Morillon, i paraqiti përfundimet e raportit dje në një konferencë për shtyp në Uashington: "Gazetarët po vihen gjithnjë e më shpesh në rrezik, dhe një numër gjithnjë e më i madh prej tyre po vriten. Censura po përhapet në të gjithë botën. Aktualisht ka 130 gazetarë në burg. Kjo është një gjendje shumë shqetësuese për aktivistët e të drejtave të njeriut".

Gazetarë nga 5 vende folën në konferencë, duke treguar përvojën personale. Ayub Nuri, gazetar irakian, ka raportuar mbi konfliktin në vendin e tij për agjenci të ndryshme lajmesh. Ai thotë se në shumë raste ka qenë në rrezik jete: "Gjithmonë ka qenë e vështirë. Sa herë dilja për shërbime pune, isha në rrezik jete". Gazetarët Pa Kufi thotë se më shumë se gjysma e punonjësve të medias të vrarë vjet, vdiqën në Irak.

Mbi 200 gazetarë janë vrarë në atë vend që nga fillimi i konfliktit në vitin 2003. Kjo organizatë kritikon gjithashtu Kinën, organizatore e Lojrave Olimpike 2008. Raporti thotë se Kina nuk ka përmbushur premtimin e saj për të garantuar lirinë e shtypit para Lojrave.

Kina, thekson organizata, vazhdon të kufizojë liritë dhe të burgosë gazetarët. Gazetarja kineze He Qinglian u largua nga Kina në vitin 2001. Ajo thotë se Olimpiket janë një shans për t’i bërë presion Kinës të ndalë shkeljet e të drejtave të njeriut. "Ne kemi rizgjuar ndërgjegjen e popullit kinez dhe tani janë pjekur kushtet për t’i kërkuar qeverisë kineze të përmbushë premtimin që bëri kur paraqiti kërkesën për të organizuar Lojrat Olimpike 2008".

Gazetarët Pa Kufi thotë se është në dorën e bashkësisë ndërkombëtare t’i bëjë presion Kinës. Përsëri Lucia Morillon: "Jemi të shqetësuar sepse disa qeveri perëndimore, si dhe disa organizata ndërkombëtare, të cilat supozohet se mbrojnë të drejtat e njeriut, si dhe lirinë e shprehjes në botë, kanë standarte të tjera kur është fjala për vende të mëdha si Kina dhe Rusia". Organizata Gazetarët Pa Kufi thotë se është e shqetësuar për zgjedhjet e ardhshme në Rusi, si dhe në Pakistan. Kjo organizatë thotë se udhëheqësit në këto vende ushqejnë ndjenja negative ndaj gazetarëve të pavarur.//rd//

XS
SM
MD
LG