Lidhje

Shkurti, Muaji Kombëtar i Historisë së Afrikano-Amerikanëve

  • Kris Simkins

Kapitoli është një nga objektet historike më të njohura të vendit. Me kubenë e saj të bardhë, kjo ndërtesë shërben si një simbol ndërkombëtar i demokracisë amerikane. Por deri kohët e fundit, shumë pak dihej për njerëzit që e ndërtuan këtë strukturë masive. Kohët e fundit, një ekspozitë lëvizëse, e titulluar “Nga hija e lirisë”, zbulon faktin se pjesa më e madhe e Kapitolit u ndërtua nga skllevërit zezakë nga fundi i viteve 1700, deri në vitin 1863.

Felishia Bell e Shoqatës Historike të Kapitolit thotë se në të njëjtën kohë, një numër i madh skllevërish u përdorën për të ndërtuar shumë ndërtesa qeveritare në mbarë Shtetet e Bashkuara.

“Fakti që skllevërit kishin njohuri dhe ishin punësuar edhe më parë për ndërtimin e strukturave të tjera para asaj të Kapitolit, na tregon se skllevërit ishin të rëndësishëm si krah pune në fillimet e Shteteve të Bashkuara dhe në ndërtimin e qendrave urbane”.

Ekspozita paraqet metodat që u përdorën për rekrutimin e skllevërve për ndërtimin e Kapitolit. Shënime të vjetra tregojnë se kontraktorët e ndërtimit paguanin pronarët e bardhë të skllevërve, që t’i lejonin ata pët t’u shfrytëzuar si punëtorë të përkohshëm. Vetë skllevërit paguheshin vetëm në se punonin natën, të dielave dhe ditët e pushimit.

"Dokumentet tregojnë pronarët paguheshin për punën e skllevërve të tyre. Niveli tipik i pagesës për ta ishte 5 dollarë në muaj për skllav, një pagesë e mirë për atë kohë".

Skllevërit afrikano-amerikanë punonin krahas me punëtorët e bardhë, prisnin drurin, mbanin gurë dhe bënin punë të tjera ndërtimi. Është ironik fakti, edhe Statuja e famshme e Lirisë, 6 metra e lartë, e cila u vendos në majën e kupolës të Kapitolit gjatë Luftës Civile, u derdh në bronz nga një skllav, i quajtur Fillim Riid. Punonjësja e Muzeut, Bell, thotë se ambjenti i punës për ndërtimin e Kapitolit është përshkruar nga një dëshmitar okular, një udhëtar polak, i cili vizitoi vendin gjatë procesit të ndërtimit.

"Ai shkruante, se si punëtorët e bardhë pinin pjesën më të madhe të ditës alkohol dhe se ishin skllevërit ata që bënin punën dhe se si u trondit, kur mësoi që skllevërit nuk paguheshin, por ishin pronarët e tyre që paguheshin për punën e tyre".

Ekspozita e lëvizshme ka shkuar në një numër të madh shkollash në mbarë vendin. Në Universitetin Houard në Uashington, studentët, si Nion Croufërd janë magjepsur me historinë e ndërtimit të Kapitolit dhe me rolin e luajtur nga zezakët në ndërtimin e këtij objekti të rëndësishëm historik.

"Është diçka e mrekullueshme të mësosh këtë lloj informacioni, nëpërmjet kësaj ekspozite të lëvizshme. Pa dyshim, që unë mësova shumë sot. Nuk e kemi ditur kurrë për kontributin e punës së skllevërve në të kaluarën.

Zonja Bell thotë se historia e Kapitolit nuk duhet fshehur, për shkak të kujtimeve të dhimbshme të skllavërisë. Ajo thotë se ekspozita është e rëndësishme, ngaqë ajo i ndihmon njerëzit të kuptojnë rolin e rëndësishëm që kanë luajtur afrikano-amerikanët, jo vetëm në ndërtimin e Kapitolit, por edhe të Shteteve të Bashkuara. (ze)

XS
SM
MD
LG