Lidhje

Vritet një nga udhëheqësit e Hezbollahut në Siri


Lëvizja Hezbollah në Liban thotë se një ndër udhëheqësit e saj kryesorë u vra në një sulm me makinë bombë mbrëmë në Siri. Imad Mugnieh ishte person i kërkuar në Izrael dhe në Shtetet e Bashkuara në lidhje me sulme vdekjeprurëse të kryera në pika të ndryshme të globit gjatë një periudhe prej 3 dekadash.

Hezbollahu njoftoi vdekjen e tij sot dhe akuzoi Izraelin si organizator të sulmit. Qeveria izraelite ka hedhur poshtë akuzat për përfshirje në këtë vrasje. Izraeli e ka akuzuar Mughniyeh si organizator të sulmit të vitit 1992 ndaj ambasadës izraelite në Argjentinë, nga i cili gjetën vdekjen 29 vetë si dhe shpërthimin në një qendër hebraike në Buenos Aires në vitin 1994, i cili la të vrarë dhjetëra vetë.

Një ish-zyrtar i shërbimeve izraelite të zbulimit tha se Izraeli e konsideronte Imad Mughnieh edhe më të rrezikshëm se udhëheqësin e Hezbollahut, Hasan Nasrallah. Mugnieh ishte edhe në listën e Departamentit të Shtetit për personat e dyshuar për terrorizëm. Ai dyshohet për përfshirje në sulmin e vitit 1983 ndaj kazermave të marinës amerikane në Liban, ku u vranë 241 marinsa, si dhe në rrëmbimin në vitin 1985 të Terry Anderson, shefi i redaksisë për Lindjen e Mesme të Agjencisë së Lajmeve Associated Press. Anderson u mbajt peng nga rrëmbyesit për 6 vjet.//lk

XS
SM
MD
LG