Lidhje

Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Serbisë të pranojë pavarësinë e Kosovës


Sekretarja amerikane e shtetit Kondoliza Rajs tha të mërkurën se shpreson që Serbia ta pranojë zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe të vazhdojë rrugën drejt integrimit më të plotë me Evropën. Kosova pritet ta shpallë pavarësinë brenda disa ditësh.

Shtetet e Bashkuara pritet që së bashku me aleatët e Bashkimit Evropian ta njohin pavarësinë e Kosovës, sapo ajo të shpallet zyrtarisht. Zonja Rajs e këshilloi Serbinë, e cila e kundërshton me forcë një gjë të tillë, që ta pranojë realitetin e krijuar dhe të shikojë përpara.

Duke folur dje para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, në një seancë ku paraqiti buxhetin e Shteteve të Bashkuara për marrëdhëniet me jashtë, zonja Rajs tha se Serbinë e pret integrimi më i plotë me Evropën, sapo çështja e Kosovës të jetë zgjidhur, një proces që ajo e pranoi se nuk do të jetë i lehtë për Beogradin.

“E di që kjo do të jetë një periudhë jashtëzakonisht e vështirë për popullin serb. Dhe Shtetet e Bashkuara do të shtrijnë dorën e miqësisë, duke thënë se statusi i Kosovës dhe zgjidhja e tij do t’i hapin rrugën Serbisë që të shohë përpara dhe të vazhdojë të ndërmarrë hapat e nevojshëm”.

Administrata e Presidentit Bush ka mbështetur planin e të dërguarit të OKB-së Marti Ahtisaari, për pavarësi të mbikqyrur për Kosovën dhe kjo politikë gëzon përkrahje nga të dyja palët në Kongresin amerikan.

Megjithatë në seancën e djeshme, senatori republikan Xhorxh Voinoviç i Ohajos i tha zonjës Rice se ai është i shqetësuar se një Kosove të pavarur mund t’i mungojë infrastruktura për të vënë në zbatim praktikisht pavarësinë.

“Jam shumë, shumë i shqetësuar zonja Sekretare për çka do të ndodhë atje, sepse po marr sinjale të përziera. Mendoj se ndoshta ata do ta shpallin pavarësinë. Bashkimi Evropian do ta pranojë. Por druhem shumë se infrastruktura e parashikuar në atë plan nuk është ajo e duhura për të realizuar atë që duhet. Dhe nëse gjërat nuk funksionojnë, mendoj se do të shkaktojë probleme për synimin tonë për ta futur atë pjesë të botës në Evropë”.

Zonja Rajs i tha zotit Voinoviç se administrata e Presidentit Bush kishte mbajtur dy takime të nivelit të lartë për Kosovën në dy ditët e fundit dhe ka zhvilluar bisedime intensive me aleatët evropianë për realizimin sa më pa probleme të kalimit tek pavarësia e mbikqyrur.

Ajo tha se Bashkimi Evropian por dërgon atje një mision të policisë dhe drejtësisë për të mbështetur trupat e NATO-s dhe se mbrojtja e të drejtave dhe objekteve fetare të pakicës serbe në Kosovë është një përparësi për të gjithë faktorët e angazhuar në këtë çështje.

Zonja Rajs i tha gjithashtu zotit Voinoviç se kishte ndërhyrë personalisht tek zyrtarët e NATO-s për t’i orfuar Serbisë anëtarësinë në Partneritetin për Paqen megjithëse ende nuk janë dorëzuar disa nga figurat kryesore të serbëve të Bosnjës që kanë kryer krime lufte. //kk//

XS
SM
MD
LG