Lidhje

Greqia thotë se BE-ja është e ndarë për njohjen ose jo të pavarësisë së Kosovës


Ministrja e Jashtme e Greqisë Dora Bakojanis tha të mërkurën në Washington se Bashkimi Evropian është i ndarë në qëndrimin për njohjen ose jo të pavarësisë së Kosovës.

Zonja Bakojanis e bëri të qartë se Greqia nuk ka ndonjë nxitim të madh për të njohur pavarësinë e Kosovës që pritet të shpallet deri në fund të këtij muaji. Duke folur në Qendrën e Washingtonit për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, ajo theksoi rëndësinë e arritjes së një qëndrimi të përbashkët të 27 anëtarëve të Bashkimit Evropian për Kosovën.

Sipas planit për pavarësi të mbikqyrur, Bashkimi Evropian do të marrë shumë nga funksionet e Kombeve të Bashkuara që administron aktialisht Kosovën.

Zonja Bakojanis thotë se në takimin e së hënës të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian në Bruksel, Kosova do të jetë një nga çështjet kryesore.

“Bashkimi Evropian ka nevojë ta diskutojë shumë më tepër këtë çështje, nëse do të arrijë një qëndrim të përbashkët. Dhe një qëndrim i tillë është i nevojshëm për Kosovën, shumë më tepër sesa për vende të tjera”.

Lidhur me një temë tjetër po për Ballkanin, zonja Bakoyyanis thotë se megjithëse Greqia favorizon anëtarësimin e Kroacisë, Shqipërisë, dhe Maqedonisë në NATO, marrëdhëniet mes Greqisë dhe fqinjit të saj verior, Maqedonisë përbëjnë problem. Greqia ka kërcënuar ta bllokojë anëtarësimin e Maqedonisë nëse Shkupi nuk pranon të ndryshojë emrin e vendit.

Zonja Bakojanis thotë se emri Maqedoni nënkupton një pretendim territorial ndaj krahinës veriore Maqedoni të Greqisë.

“Shpresoj që miqtë tanë në Shkup ta kuptojnë se e ardhmja Euro-Atlantike nuk mund të mbështetet tek idetë irredentiste të së djeshmes, por në ide pozitive për një të ardhme më të mirë evropiane të së nesërmes”.

Një i dërguar i Kombeve të Bashkuara pritet të bëjë këto ditë propozime të reja për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për emrin e Maqedonisë.

Një e treta e popullsisë së Maqedonisë, e cila kufizohet me Kosovën në Veri, është shqiptare. Ekziston frika se nëse nuk arrin marrë miratimin për anëtarësimin në NATO, Maqedonia mund të hyjë në një periudhë trazirash etnike. //kk//

XS
SM
MD
LG