Lidhje

Dita e Shën Valentinit në Çikago rizgjon kujtimet e së kaluarës


Shumë njerëz e shohin ditën e Shën Valentinit si ditën e të dashuruarve, por për të interesuarit e historisë së gangsterëve, kjo ditë do të mbahet mend gjithmonë për një krim të shëmtuar që ka ndodhur në pjesën veriore të Çikagos në vitin 1929. Atë ditë persona që mendohet se punonin për gangsterin Al Capone, të armatosur me automatikë, qëlluan për vdekje shtatë burra nga një bandë rivale. Shumë drejtues në Çikago duan ta harrojnë këtë histori, por siç njofton gazetari i Zërit të Amerikës Greg Flakus, njerëzit vazhdojnë të mbesin të magjepsur nga ajo periudhë.

Vizitorët në Çikago mund të përjetojnë aspekte të së kaluarës së errët të qytetit, në Garazhin e Tommy Gun, një teatër-restorant ku aktorët portretizojnë huliganët famëkeq dhe gratë e krekosura të periudhës së ndalimit të alkoholit.

Në vitet 1920 dhe fillimin e viteve 1930, ligji amerikan ndalonte shitjen dhe konsumimin e pijeve alkolike në mbarë vendin. Gangsterë si Al Capone përfituan nga ky ligj për t’u pasuruar duke furnizuar publikun me birrë dhe alkool përmes një sistemi klandestin. Bandat rivale që luftonin për fitime të paligjshme vranë dhjetra vetë dhe shkatërruan reputacionin e Çikagos. Incidenti më i famshëm ishte Masakra e Ditës së Shën Valentinit.

John Binder nga Çikago, është autori i librit “The Chicago Outfit”, që flet për historinë e qytetit të atëhershëm. "Kryetarit të bashkisë dhe drejtuesve të tjerë mund të mos u pëlqejë fakti se historia e gangsterëve të Çikagos është e lidhur me këtë ditë, që nga periudha e ndalimit të alkoholit e deri në ditët tona, por historia është histori".

Zoti Binder i shoqëron njerëzit që janë të interesuar të shohin vendet ku gangsterët operonin dikur, edhe shumë nga ndërtesat e vjetëra janë shkatërruar përfshirë atë ku ndodhi masakra e Ditës së Shën Valentinit. "Mund t’u them se ku kanë qënë ndërtesat. Edhe pse ato nuk janë më, të krijohet një ndjenjë të fuqishme kur mendon për ato që kanë ndodhur aty". Zoti Binder, profesor i financave në Universitetin e Çikagos, thotë se krimi i organizuar është një biznes dhe atë që janë të angazhuar në të, e bëjnë për të fituar para. Ai thotë se duke kuptuar sfondin historik të akteve të tilla kriminale, Çikago dhe qytete të tjera munda ta kenë më të lehtë ta luftojnë atë më me efektivitet. "Krimi i organizuar është kanceri i shoqërisë. Ai vazhdon të jetë i pranishëm sot në Çikago. Në se duam të kuptojmë më mirë si ta luftojmë dhe të minimizojmë ndikimin e krimit të organizuar, përfshirë atë në sistemin politik, duhet të shohim më me vëmendje se si kryhet ai". Sigurisht që bandat e kësaj periudhe do të mbeten gjithmonë në filma, duke e mbajtur këtë temë të gjallë në imagjinatën e publikut.//rd//

XS
SM
MD
LG