Lidhje

Avni Mustafa: Pavarësia do të mundësojë hyrjen e investimeve në Kosovë

  • Laura Konda

Këto ditë e gjithë vëmendja është e përqëndruar tek shpallja e pavarësisë së Kosovës, lindja kështu e një shteti të ri në Evropë. Lind natyrshëm pyetja, çfarë do të ndodhë në ditët që vijojnë, cilat janë disa nga problemet më imediate me të cilat do të ndeshet vendi? Për të biseduar për këto çështje, Zëri i Amerikës kishte të ftuar për një intervistë në studion e “Ditarit”, Drejtorin Ekzekutiv të Këshillit Shqiptaro-Amerikan, NAAC-ut, Avni Mustafa.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafa, sipas jush, cilat do të jenë disa nga problemet e para me të cilat do të ndeshet shteti i ri i Kosovës?

Avni Mustafa: Fillimisht, unë do të doja t’i uroja popullit të Kosovës pavarësinë. Siç ka thënë ish-Presidenti i Amerikës, Roosvelt, “...s’kemi përse të kemi frikë nga frika”; unë besoj që në të ardhmen, rëndësinë më të madhe do ta ketë çështja e ekonomisë. Qeveria duhet t’i marrë të gjitha masat, që të caktojë njerëzit, që kanë njohje të merren me ekonominë. Do të ketë një tryezë për donacione në Kosovë dhe rëndësi më të madhe ka që duhen çuar atje sa më shpejt fonde, që t’i jepet mundësi zhvillimit ekonomik, sepse ekonomia kosovare ka nevojë të ballancohet.

Zëri i Amerikës: Ekonomia, siç thatë edhe ju, do të jetë një prej sfidave me të cilat do të ndeshet Kosova. Çfarë potencialesh ka vendi dhe çfarë mendoni se duhet bërë që këto potenciale të çlirohen menjëherë pas shpalljes së pavarësisë?

Avni Mustafa: Kosova duhet të jetë e pavarur politikisht, por e varur ekonomikisht. Ajo duhet të zhvillojë tregti, sigurisht me Shqipërinë, me Maqedoninë, edhe me Malin e Zi, që tregu i saj të hapet, dhe që kosovarët të kenë mundësi të bëjnë biznes jo vetëm në Kosovë, por edhe në shtetet fqinj.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit, Serbia ka thënë vazhdimisht se do të ndërmarrë disa akte, apo sanskione, ndaj Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë, madje dje qeveria miratoi edhe një rezolutë për ta shpallur të pavlefshme pavarësinë. Çfarë ndikimi mendoni se do të ketë këto masa, apo sanksione të Serbisë ndaj Kosovës?

Avni Mustafa: Sigurisht, kjo është diçka, të cilën ne duhet ta presim, por unë nuk besoj që Kosova do të reagojë, madje shpresoj që nuk do të reagojë, sepse, të gjitha shtetet e Evropës, tani është parë qartë, se e mbështesin pavarësinë e Kosovës; besoj, që për shkak të disa faktorëve të brendëshm, do të ketë disa qëndrime të egra nga ana e Serbisë, por nuk besoj se do të ketë ndikime në rajon sepse Serbisë nuk i intereson të marrë masa që bien në kundërshtim me interesat e saj.

Zëri i Amerikës: NAAC-u, Organizata që ju drejtoni, zhvillon mes të tjera një veprimtari lobiste, duke e çuar zërin e shqiptaro-amerikanëve në Washington. Cili do të jetë projekti më i afërt që do të ketë NAAC-u menjëherë pas shpalljes së pavarësisë?

Avni Mustafa: Kjo ka të bëjë me pyetjen tuaj të mëparshme për ekonominë. Kemi patur disa takime në Departamentin e Shtetit dhe në USAID dhe ne kemi biseduar, që në një kohë të shkurtër, pikërisht pas shpalljes së pavarësisë, sa më shpejt që të jetë e mundur, të dërgohen ndihma për njerëzit e papunë dhe kemi sugjeruar që të rriten rrogat për intelektualët, mjekët, mësuesit, që t’i lehtësohet jeta dhe që të mos kërkojnë punë në vend tjetër. Por rëndësi më të madhe ka, që duhen dërguar fonde shpejt, që të vazhdohet pastaj me zhvillimin e ekonomisë dhe që biznesmenët të fillojnë të investojnë në Kosovë. Ne si shqiptarë, do të ndihmonin duke shkuar atje dhe duke u bërë partnerë në biznes dhe kjo do të mundësojë pastaj, që Kosova të marrë para borxh nga Banka Botërore, apo nga Institucionet e tjera financiare botërore.

Zëri i Amerikës: A ka patur NAAC oferta konkrete nga shqiptaro-amerikanë për të shkuar në Kosovë dhe për të investuar atje?

Avni Mustafa: Në fakt, ka disa shqiptaro-ameirkanë që kanë investuar në Kosovë dhe ka të tjerë, që presin të përfundojë privatizimi. Pavarësia do të mundësojë zhvillimin e bankave ekzistuese dhe hyrjen e bankave të mëdha; thuhet se pas pavarësisë do të ketë interes më të madh për Kosovën, sepse duhet siguri dhe ligjet e nevojshme për të investuar.

Zëri i Amerikës: Pikërisht, zgjidhja e çështjes së statusit do t’i hapë rrugën edhe zhvillimit në sfera të ndryshme në Kosovë...

Avni Mustafa: Shpallja e pavarësisë së Kosovës, do të mundësojë që i gjithë Ballkani të marrë frymë dhe të fillojë të bashkëpunojë. Me këtë rast do të marrë fund edhe i ashtuquajturi “mentalitet i ballkanizmit” dhe do të jetë fillimi ”i evropianizimit të Ballkanit”, që do të bëhet pjesë e Evropës. Prandaj, çështja e Kosovës, nuk është vetëm çështje e shqiptarëve, por ajo të lejtësojë afrimin e të gjithë Ballkanit në Evropë. Shpresojmë që së shpejti do të pranohen në NATO Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia. Ky proces mund të shpejtohet, në se Kosova do të jetë e pavarur.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafa, ju faleminderit për intervistën.

XS
SM
MD
LG