Lidhje

SHBA thonë se duan një zgjidhje të shpejtë të statusit të Kosovës


Shtetet e Bashkuara thanë të premten se duan të shohin një zgjidhje të shpejtë të statusit të Kosovës, në bazë të planit Ahtisaari, që parashikon pavarësinë e mbikqyrur. Administrata e Presidentit Bush pritet që së bashku me aleatët evropianë të njohë pavarësinë e Kosovës, që sipas njoftimeve mund të shpallet të dielën.

NATO-ja ndërhyri në vitin 1999 për t’i dhënë fund shtypjes së përgjakshme të shumicës shqiptare nga forcat serbe. Sipas skenarit për pavarësinë, forcat e NATO-s do të qëndronin atje për një kohë të pacaktuar për të ruajtur paqen dhe për të mbrojtur pakicën serbe.

Serbia e kundërshton me forcë shkëputjen e Kosovës, duke ofruar autonomi të gjerë. Por Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kryesorë evropianë thonë se nuk mund të ketë kthim në situatën para vitit 1999.

Duke folur me gazetarët të premten, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Sean McCormack tha se Shtetet e Bashkuara e kuptojnë se kjo është një çështje emocionale dhe delikate për Serbinë, por se është e rëndësishme që t’i jepet një zgjidhje përfundimtare statusit të Kosovës:

“Ne besojmë se zbatimi i planit Ahtisaari që parashikon një pavarësi të mbikqyrur është rruga e drejtë. Të gjithë e kuptojnë një gjë të tillë. Ky ka qenë vazhdimisht qëndrimi ynë dhe ne besojmë se ndjekja e kësaj rruge do të çojë në fund në një rajon më paqësor dhe të qëndrueshëm”.

Zoti McCormack përsëriti se Serbia duhet të shihte nga Evropa, duke pasqyruar kështu pikëpamjen amerikane se një zgjidhje për çështjen e Kosovës do të përshpejtojë integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe institucione të tjera.

Ai gjithashtu hodhi poshtë përsëri qëndrimin e aleates së Serbisë, Rusisë, se pavarësia e Kosovës do të nxiste lëvizje separatiste në pjesë të tjera të Evropës, si rajoni i trazuar i Abkazisë në Gjeorgji.

Zoti McCormack tha se ky argument nuk ka baza dhe se çështja e Kosovës nuk përbën precedent për Abkazinë apo për ndonjë rajon tjetër.

Të enjten në Kombet e Bashkuara, Zëvendës Shefi i Misionit të Shteteve të Bashkuara, Alejandro Wolfe tha se Shtetet e Bashkuara ndjejnë një keqardhje të thellë që udhëheqësit serbë dhe kosovarë nuk arritën marrëveshje për statusin përfundimtar të Kosovës.

Por ai tha se komuniteti botëror nuk duhet të lejojë që mosmarrëveshja për Kosovën të çbëjë të gjithë pjesën tjetër të përparimit të realizuar pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Ai tha se plani Ahtisaari është mënyra e vetme për të siguruar të drejtat e të gjithë kosovarëve dhe trashëgimisë së tyre fetare dhe kulturore.

Të premten Presidenti Bush dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon diskutuan për gjendjen në Kosovë gjatë bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë ku u fol për Afrikën dhe çështje të tjera. Nuk u bënë të ditura detaje të tjera për bisedimet e tyre mbi Kosovën dhe zyrtarët e OKB-së në Nju Jork thanë gjithashtu se nuk kishin komente për thirrjen e ministrit të Jashtëm serb drejtuar zotit Ban për të hedhur poshtë çdo shpallje pavarësie nga autoritetet e Kosovës.

Zyrtarët në Uashington kanë lënë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët evropianë do ta njihnin Kosovën brenda 48 orësh që nga shpallja e saj.//kk//

XS
SM
MD
LG