Lidhje

Ekspertët të ndarë për pavarësinë e Kosovës


Këtu në Uashington, disa analistë paralajmërojnë për kriza të reja në rajon, ndërsa të tjerë thonë se një Kosovë e pavarur do të sjellë stabilitetin në rajon.

Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të Bashkimit Evropian mbështesin pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës, ndërkohë që Serbia dhe Rusia e kundërshtojnë me ashpërsi dhe këmbëngulin për vazhdimin e bisedimeve midis Beogradit dhe Prishtinës. John Bolton, ish-ambasadori amerikan në OKB thotë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të krijojë probleme. “Unë e shoh këtë çështje si një faktor në marrëdhëniet dypalëshe amerikano-ruse. Kjo do të ketë implikime të rëndësishme, si mbrojtja nga raketat, vazhdimi i përpjekjeve për rregullimin e forcave strategjike bërthamore dhe shumë probleme të tjera të rëndësishme që kemi nëpër duar.” – tha zoti Bolton.

Vëzhgues të tjerë nuk mendojnë se një shtet i pavarur i Kosovës do të sjellë destabilizimin e rajonit. Analisti Bruce Jackson thotë se ish-republikat jugosllave e shpallën pavarësinë pa pëlqimin e Beogradit. Shumica e këtyre shteteve të rinj kanë bërë përparime të mëdha politike dhe ekonomike. “Që nga viti 1991, harta e shteteve të Ballkanit që nga Sllovenia deri në Malin e Zi ka qenë një proces i natyrshëm. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë katastrofë. Pati luftime në Slloveni, por ajo sot është kryetare e rrëdhës e Bashkimit Evropian. Ky duhet të konsiderohet sukses.” Zoti Jackson, i cili kryeson Projektin për Demokracitë në Tranzicion, thotë se konsolidimi i paqes në Ballkan varet nga modeli i sukseshëm i BE-së, i cili i ka kthyer vendet e ndryshme nga armike në aleate.

Zoti Jackson shton se njohja e pavarësisë së mbikqyrur të Kosovës është thjesht hapi i parë mes një sërë zhvillimesh në 60 ditët e ardhshme për vendosjen e paqes në rajonin e Ballkanit.

Në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në muajin prill në Bukuresht, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia shpresojnë të marrin ftesën e anëtarësimit në aleancë. Greqia dhe Maqedonia janë angazhuar të bëjnë përpjekje të reja për të zgjidhur polemikat rreth emrit të Maqedonisë.

Gjithashtu, Bashkimi Evropian po bën çdo përpjekje për të përshpejtuar integrimin e Serbisë në Evropë. Zoti Bolton dhe zoti Jackson folën dje gjatë një diskutimi në Insitutin Amerikan Enterprise në Washington. //rd//

XS
SM
MD
LG