Lidhje

Prishtina përgatitet aktivisht për të ardhmen e saj evropiane


Prishtina, po përgatitet aktivisht për të ardhmen e saj evropiane. Për të ndihmuar këtë demokraci të re të zhvillojë institucione të qëndrueshme, Bashkimi Evropian po dërgon atje misionin e tij, më i madhi ndonjëherë, me një objektiv të qartë: të ndihmojë vendosjen e shtetit juridik në Kosovë, e cila që nga viti 1999 ka qënë nën administrimin e OKB-së. "Ne po marrim përgjegjësi të ndryshme nga ato të OKB-së. Pra, kalimi i përgjegjësive nuk është nga OKB-ja në BE, por nga OKB-ja tek qeveria e Kosovës. Ata do të marrin pushtetin dhe përgjegjësitë", thotë Peterf Feith, përfaqësues i posaçëm i Bashkimt Europian.

Me ekipet paraprake tashmë të dërguara në Kosovë, Bashkimi Evropian ka përgatitur terrenin për misionin e tij, më i rëndësishmi i këtij lloji deri tani. I koduar me emrin EULEX, misioni do të dislokojë më shumë se 2 mijë policë, punonjës dogane, gjyqtarë dhe prokurorë të vendeve të BE-së për të ndihmuar homologët e tyre kosovarë.

Në Akademinë Policore të Kosovës në Vushtri, policë shqiptarë dhe serbë stërviten së bashku. Përparësia kryesore e misioni EULEX do të jetë të sigurojë që Shërbimi Policor i Kosovës të bëjë një punë të mirë duke ndjekur procedura të drejta dhe praktikat më të mira.

Policët evropianë do të dislokohen në të gjithë Kosovën, në administrata, qëndra stërvitore të policisë apo njësi operacionale. Objektivi i tyre: të zhvillojnë një standard të lartë shërbimi për të gjitha komunitetet në Kosovë. Misioni EULEX do të përqëndrohet gjithashtu në sistemin e drejtësisë, me një vëmendje të veçantë ndaj krimeve sensitive. “Është një çështje shumë sensitive në Kosovë. Dhe për shumë arsye që mund të imagjinoni, gjyqtarët apo prokurorët vendas do të përballen me një situatë shumë të vështirë pasi mund të përfshihen në gjykime që kanë të bëjnë me familjet e tyre gjatë luftës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për policinë”, thotë Iv Dë Kërmabon, shefi i misionit të EULEX-it. Gjyqtarët dhe prokurorët e BE-së do të punojnë përditë me homologët e tyre kosovarë. Ata do të ndihmojë gjyqtarët kosovarë të zgjidhin krimet e lëna në harresë.

Një dimension tjetër i punës së Eulexit: të krijojë një sistem të efektshëm burgjesh së bashku me Shërbimin Kosovar të Korrektimit. Një sistem i aftë për të përmbushur funksionet bazë të burgimit të efektshëm dhe për rehabilitimin social të të burgosurve. "Synimi është mbështetja e Shërbimit Korrektues të Kosovës për të plotësuar standartet ndërkombëtare të burgimit dhe ato të të drejtave të njeriut në burgje", thotë Stiv Xhoston, ekspert në ekipin përgatitor.

Një shërbim i efektshëm doganor është burim kryesor të ardhurash për Kosovën. Edhe këtu ekspertët evropianë do të dislokohen për të këshilluar oficerët kosovarë të doganave që ato funksionojnë si duhet. "Administrata e doganave në Kosovë grumbullon rreth 75 përqind të të ardhurave në buxhet. Por në të njëjtën kohë, kjo çështje ka të bëjë me kontributin për sigurinë e vendit", thotë Fleming Larson, ekspert i doganave.

Me misionin EULEX, Bashkimi Evropian po vendos instrumentat më të mirë në dispozicion të autoriteteve kosovare për të sjellë qëndrueshmëri afatgjatë në rajon. "Në se Evropa nuk do të jetë në gjendje ta arrijë këtë, nuk di se kush tjetër mund ta bëjë, thotë zoti Peter Feith. Ne, thotë ai, vazhdojmë të jemi një joshje e veçantë për njerëzit e Ballkanit dhe i kemi të gjitha instrumentat e nevojshëm për një situatë si ajo në Kosovë", thotë Peterf Feith, përfaqësues i posaçëm i Bashkimt Europian. //rd//

XS
SM
MD
LG