Lidhje

Çështja e Kosovës në marrëdhëniet Amerikë-Rusi


Ish drejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, James Woolsey thotë se duke e kundërshtuar Perëndimin lidhur me pavarësinë e Kosovës, Rusia më tepër përpiqet të tregojë se po rifiton një rol botëror se sa të ndihmojë Serbinë. Zoti Woolsey i tha Zërit të Amerikës se politika e jashtëme e Moskës do të bëhet më pak agresive sa më shumë që teknologjitë e reja të ulin rëndësinë e naftës dhe të gazit

Ish drejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA, thotë se liria dhe vetvendosja janë të rrënjosura thellë në psikologjinë e amerikanëve. “Amerikanët janë të prirur në këtë drejtim kur një popull është i pakënaqur me shtetin që e ka sunduar për një kohë të gjatë siç ka qenë rasti i Serbisë dhe i Jugosllavisë me kosovarët, të cilët duan të jenë të pavarur”. Zoti Woolsey ka qenë drejtor i CIA-s midis viteve 1993 dhe 95, në kulmin e luftrave për pavarësi në ish Jugosllavi. Ai thotë se Moska i kundërshton politikat perëndimore për Kosovën për të vërtetuar se tani është një fuqi me rëndësi në politikën botërore: “Mendoj se ajo që po ndodh është se Rusia po përpiqet të tregojë rëndësinë e saj. Ajo po bën ç’është e mundur, qoftë për çështjen e baterive të raketave në Poloni apo për pavarësinë e Kosovës, duke thënë se “kjo pjesë e botës do të bëjë ashtu si themi ne rusët. Ne kemi naftën dhe gazin, prandaj duhet të na dëgjoni!”

Zoti Woolsey është aktualisht president i firmës konsulente Booz Allen dhe Hamilton. Ai thotë se megjithëse Amerika dhe Rusia nuk po shkojnë përsëri drejt një Lufte të Ftohtë, mosmarrëveshjet mes tyre po shtohen: “Mendoj se në thelb Rusia është një problem. Është një vend që po shfrytëzon naftën dhe gazin për t’u bërë presion fqinjëve, për t’u kërkuar ç’të dojë, është një vend që nuk i shërben një funksioni pozitiv në vendimet politike të botës, në diskutimet për Lindjen e Mesme, në çështjen e mospërhapjes së armëve apo në çështje të tjera. Objektivi kryesor i regjimit të Putinit është me sa duket të dominojë fqinjët dhe që të tjerët të bëjnë çfarë do ai”. Zoti Woolsey thotë se Kremlini përdor burimet e tij të energjisë, naftën dhe gazin, si armë strategjike për të arritur synimet e veta të politikës së jashtëme.

Europa, thotë ai, duhet të lëvizë sa më shpejt drejt burimeve të tjera të energjisë, si ajo bërthamore, për të ruajtur pavarësinë e politikës së tij të jashtëme: “Mendoj se sa më shumë vende në Europë dhe Eurazi t’i rezistojnë Rusisë dhe qendrimeve të saj autokratike, madje diktatoriale ndaj fqinjëve, aq më mirë do të jetë për të gjithë ne"//rd//

XS
SM
MD
LG