Lidhje

Ambasadori Wisner thotë se SHBA mund ta njohin pavarësinë e Kosovës të hënën


Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në negociatat për statusin e Kosovës, Frank Wisner, thotë se e sotmja është një ditë e lumtur dhe shprehu kënaqësinë që Kuvendi theksoi angazhimin për respektimin e planit Ahtisaari. Ambasadori Wisner tha për Zërin e Amerikës se Shtetet e Bashkuara mund ta njohin pavarësinë e Kosovës që nesër.

Zëri i Amerikës: Ambasador Wisner, cilat janë përshtypjet tuaja pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës?

Frank Wisner: Para disa minutash mora lajmin e vendimit të Kuvendit të Kosovës dhe mund ta marr me mend se sa të lumtur janë veçanërisht shqiptarët e Kosovës. Është një ditë krenarie dhe lumturie. Jam shumë i kënaqur që Kuvendi nënvizoi angazhimin e Kosovës së re për plotësimin e të gjitha klauzolave të planit Ahtisaari. Ky është një lajm i shkëlqyer pasi është shenjë e vullnetit për një shtet shumë etnik gjë që është shumë e rëndësishme. Jam gjithashtu shumë i kënaqur që ky veprim u ndërmor në paqe dhe siguri dhe që forcat e NATO-s janë në terren për të mbrojtur të gjitha komunitetet dhe për të ruajtur rendin. Tani mund të shohim të gjithë drejt së ardhmes, të merren masat që vijnë pas pavarësisë dhe të ndërtohet një shoqëri e re dhe e drejtë. Është një lajm i lumtur për të gjithë shqiptarët e Kosovës dhe unë jam pranë tyre në këto momente.

Zëri i Amerikës: Cilat janë hapat që do të ndërmarrin Shtetet e Bashkuara tani që është shpallur pavarësia?

Frank Wisner: Ky është një vendim që do të ndërmerret nga Sekretarja e Shtetit, sigurisht në konsultim me Presidentin, kështu që prisni dhe do të shihni, mendoj që nesër do të shprehet ky qëndrim. Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është i njohur, është ai që ka bërë të ditur Presidenti kur ishte në Tiranë. Megjithatë le të presim për nesër.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore kanë thënë që do ta njohin pavarësinë e Kosovës, por sipas jush cilat janë sfidat që vijnë tani?

Frank Wisner: Sigurisht që ka shumë sfida. Njohja e pavarësisë është një sfidë modeste krahasuar me rëndësinë e ruajtjes së paqes. Si udhëheqësit e Serbisë, ashtu edhe ata të Kosovës i kanë dhënë garanci komunitetit ndërkombëtar dhe vendeve kryesore të interesuara se nuk do të ketë dhunë. Ky mesazh duhet të përçohet tek njerëzit e thjeshtë në terren dhe të respektohet. Dhe pastaj për Kosovën, sigurisht që është sfida e përpjekjeve të jashtëzakonshme që e presin përpara për ndërtimin e institucioneve, shoqërisë dhe një ekonomie të suksesshme.

Zëri i Amerikës: Gjithnjë është komentuar se ç’do të thoshte kjo ditë për Kosovën dhe popullsinë atje. Çfarë kuptimi ka kjo ditë për Shtetet e Bashkuara dhe Uashingtonin?

Frank Wisner: Jam i sigurt që Sekretarja (Rajs) do të bëjë një deklaratë për këtë, kështu që është ajo që do ta shprehë këtë qëndrim, por mund t’ju siguroj se diplomacia amerikane ka punuar për një marrëveshje dhe një rezultat (për statusin) dhe ne e kuptojmë lumturinë e kosovarëve sot.

Zëri i Amerikës: A mendoni se mosmarrëveshjet veçanërisht mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë do të zgjidhen me kalimin e kohës në mënyrë që Kosova ta ketë rrugën e hapur për pjesëmarrje në organizatat ndërkombëtare?

Frank Wisner: Mendoj se do të duhet kohë për këtë. Më vjen keq për kundërshtimin e Rusisë për këtë zgjidhje. Ende nuk jam në gjendje ta kuptoj se ku qëndron interesi i tyre në këtë rast, por tani kryesorja është që tani të gjithë ne, përfshirë Moskën të garantojmë që ky kalim të jetë paqësor. //ii

XS
SM
MD
LG