Lidhje

Reagime pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës


Qeveritë perëndimore bënë thirrje për qetësi në Kosovë pas shpalljes të pavarësisë së saj nga Serbia. Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje sot të gjitha palëve që të tregohen të përmbajtura dhe t’u shmangen veprimeve provokuese. Ai gjithashtu e mirëpriti përkushtimin e qeverisë së Kosovës ndaj planit të OKB-së për mbrojtjen e pakicës serbe.

Duke folur sot gjatë një vizite në Tanzani, presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me aleatët e tyre për të siguruar që të mos ketë dhunë në Kosovë. “Është inkurajues fakti që qeveria e Kosovës ka shprehur gadishmërinë për të mbrojtur të drejtat e serbëve. Ne besojmë gjithashtu se është në interes të Serbisë të integrohet në Evropë dhe populli serb duhet ta dijë se Amerika është mikja e tij”, tha Presidenti Bush.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jap de Hop Shefer tha se aleanca u bën thirrje të gjitha palëve të tregohen të matura. Ai paralajmëroi gjithashtu se 16 mijë trupat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë do t’i përgjigjen shpejt dhe me vendosmëri çdo shfaqjeje dhune.

Disa vende anëtare të Bashkimit Evropian, duke përfshirë Greqinë, Rumaninë, Spanjën, Qipron dhe Sllovakinë thanë se nuk do ta njihnin Kosovën tani. Rusia, siç pritej, njoftoi kundërshtimin e saj ndaj shpalljes së pavarësisë, dhe kërkoi një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të dëgjuar argumentet e saj.

Autoritetet policore ne Kosove, njoftuan per nje shperthim ne pjesen veriore te Mitrovices por pa pasoja ne njerez. Gjendja gjithashtu eshte e qete dhe e tille ishte gjate gjithe dites ne zonat e banuara me banore te komunitetit serb.

//rd//

XS
SM
MD
LG