Lidhje

Kandidatët presidencialë demokratë, deklarata për pavarësinë


Në mes të fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara, dy kandidatët demokratë Hillari Klinton dhe Barak Obama nxorrën të dielën deklarata për pavarësinë e Kosovës.

Në deklaratën e saj, zonja Klinton përshëndeti shpalljen e pavarësisë që ajo e quajti “historike”.

“I inkurajoj miqtë dhe aleatët tanë në gjithë botën që së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian të njohin pavarësinë e Kosovës menjëherë”, shprehet zonja Klinton.

Zonja Klinton shton në deklaratën e saj se ky është një hap që do t’i japë mundësi popullit të Kosovës që më në fund të jetojë në shtetin e vet demokratik dhe do t’i lejojë Kosovën dhe Serbinë që më në fund të lënë pas një kapitull të vështirë të historisë së tyre dhe të ecin përpara. Ka ardhur koha, tha ajo që të përqendrohemi tek e ardhmja dhe tek sfidat e ndërtimit të një Kosove të pavarur dhe të mbështesim një Serbi demokratike në një Evropë të integruar.

Në deklaratën, zonja Klinton lë të kuptohet se integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në Evropë dhe në komunitetin euro-atlantik do të jetë përparësi e saj, nëse zgjidhet presidente.

Ndërsa senatori Barack Obama, në deklaratën e tij vë theksin tek fakti që rasti i Kosovës është unik dhe nuk përbën precedent.

“Shpresoj që qeveria e Kosovës dhe populli i saj të veprojnë me urgjencë në mënyrë që Kosova të bëhet një shembull pozitiv qeverisjeje demokratike dhe të shtetit ligjor. E gjithë popullsia e Kosovës, qofshin shqiptarë, serbë ose të pakicave të tjera duhet të jenë në gjendje që të jetojnë në një shoqëri të lirë, tolerante dhe të begatshme, ku të drejtat e pakicave dhe objektet fetare të mbrohen plotësisht dhe suksesi i secilit nga grupet e popullsisë varet nga tjetri”.

Ai bëri thirrje për integrimin e Serbisë në komunitetin euro-atlantik dhe tha se Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të punojnë me aleatët evropianë në emër të sigurisë dhe begatisë së gjithë rajonit.

Jam i bindur, përfundon ai se me mbështetjen tonë, Serbia dhe Kosova mund të kthehen në modele të rritjes demokratike dhe ekonomike dhe popujt e tyre të shohin një të ardhme të ndritur. //kk//

XS
SM
MD
LG