Lidhje

Fidel Kastro jep dorëheqjen pas 49 vjetësh në post


Udhëheqësi i moshuar i Kubës, Fidel Kastro, i cili kohët e fundit ka qenë i sëmurë, dha dorëheqjen nga posti i Presidentit dhe Shefit të Përgjithshëm të Ushtrisë, pas mbi 49 vjetësh, kur ai erdhi në pushtet përmes një revolucioni të armatosur.

Udhëheqësi 81-vjeçar e shpalli vendimin e tij nëpërmjet një letre, të botuar sot në gazetën e Partisë Komuniste kubane, Granma. Ai thonte në letër se do të kishte qenë një tradhëti ndaj ndërgjegjes së tij, po të pranonte më tepër përgjegjësi, nga sa ai mund të ishte i aftë t’i përmbushte fizikisht. Zoti Katro tha se vendimi i tij nuk është një lamtumirë për popullin kuban dhe se ai do të vazhdojë të shkruajë libra.

Presidenti Bush reagoi ndaj lajmit për dorëheqjen e Kastros gjatë vizitës së tij në Afrikë. Ai tha se vendimi i Presidentit kuban Fidel Kastro për t’u larguar nga posti, do të thotë fillimi i një tranzicioni demokratik në Kubën e udhëhequr nga komunistët. Presidenti Bush tha se tani në Kubë duhet të lirohen të burgosurit dhe se atje duhet të zhvillohen zgjedhje të drejta dhe të lira.

Në Uashington, Zëvendëssekretari i Shtetit John Negroponte tha se nuk priste që embargoja disa dekadashe amerikane ndaj Kubës të hiqet së shpejti, megjithë ndryshimin e udhëheqjes kubane. Zoti Kastro nuk thonte në letrën e tij se cili do të jetë pasuesi i tij. Ministri i Mbrotjes Raul Castro ka kryer detyrën e Presidentit të përkohshëm, që kur i vëllai i tij Fidel, pati në korrik të vitit 2006 një operacion në zorrë.

Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë popullin e Kubës të realizojë bekimet e lirisë.

"Mendoj se ndryshimi nga epoka e Fidel Kastros duhet të fillojë me një tranzicion demokratik. Hapi i parë, natyrisht do të jetë që njerëzit që ndodhen nëpër burgje të lirohen. Unë jam takuar me disa prej familjeve të të burgosurve. Të këputet zemra kur kupton se njerëzit janë futur nëpër burgje, ngaqë kanë guxuar të flasin hapur" ,- tha Presidenti.

Pas rreth gjysëm shekulli në pushtet, vendimi i Fidel Kastros për t’u larguar nga pushteti duket se i hap rrugën vëllait të tij, Raul, i cili gjatë dy vjetëve të fundit, që pas sëmundjes të Fidel Kastros, ka qenë president në detyrë. Ndërsa ndodh ndryshimi dhe dorëzimi i pushtetit në Kubë, Presidenti Bush thotë se disa njerëz do të thonë se politika amerikane duhte të nxisë qëndrueshmërinë. Por zoti Bush thotë se kjo do të ishte gabim, sepse të burgosurit politikë do të vazhdonin të kalbeshin nëpër burgje dhe kushtet e njerëzve, në shumë raste, thotë ai, do të mbeteshin në gjendje të mjerueshme.

"Eventualisht, ky tranzicion duhet të çojë në zgjedhje të drejta dhe të lira. Dhe e kam fjalën për zgjedhje vërtet të lira dhe të drejta. Jo si farsat elekstorale, që vëllezërit Kastro përpiqen t’i paraqesin si shprehje e demokracisë së vërtetë" , - tha Presidenti.

Presidenti Bush i bëri këto komente në Ruandë, që është shteti i tretë afrikan që ai po viziton gjatë turneut të tij afrikan. Në një konferencë shtypi të përbashkët me Presidentin e Ruandës, Paul Kagame, zotin Bush e pyetën se ç’kuptim ka për Amerikën vendimi i udhëheqësit kuban. Ai tha se pyetja duhej të ishte se çfarë do të thonte ky vendim për vetë Kubën dhe banorët e saj?

"Janë pikërisht ata që janë futur nëpër burgje për shkak të mendimeve të tyre. Pikërisht atyre u është mohuar e drejta për të jetuar në një shoqëri të lirë" ,- tha Presidenti.

Në muajin janar në Kubë u zgjodh Asambleja e re Kombëtare dhe ajo do të zhvillojë mbledhjen e parë të dielën, për të zgjedhur Këshillin Drejtues të Shtetit, i cili do të përfshijë tani një President të ri.//lk

XS
SM
MD
LG