Lidhje

Nicholas Burns: Nuk pres ndonjë krizë me Rusinë për Kosovën


Në një konferencë telefonike me gazetarët, nënsekretari amerikan i shtetit për çështjet politike, Nicolas Burns theksoi interesin e Shteteve të Bashkuara për të patur marrëdhënie të mira me Serbinë dhe për të ndihmuar Beogradin – i cili ka mbetur i izoluar nga pikpamja diplomatike që nga konfliktet ballkanike të viteve 90 – që ta gjejë të ardhmen e tij në Europë: "Ne e shikojmë Serbinë si pjesë të Europës dhe ne dimë se Ballkani është pjesa e fundit e Europës e cila nuk ka marrë përfitimet që erdhën me mbarimin e Luftës së Ftohtë, ekonomike apo politike. Jugoslavia do të shpërbëhej pa tjetër e ashtu ndodhi dhe kjo është pjesa e fundit e mbetur nga ish Jugosllavia – fakti që Kosova është bërë tani e lirë dhe e pavarur. Ne shpresojmë se populli serb, kosovarët, boshnjakët, malazezët, kroatët, shqiptarët, maqedonasit, të gjithë pra të mund të shikojnë përpara drejt një të ardhmeje në Europë, me Bashkimin Europian dhe me NATO-n."

Zoti Burns tha se sekretarja e shtetit Rice, që ndodhet në Afrikë me Presidentin Bush, i telefonoi të dielën Presidentit serb Boris Tadiç për t’i theksuar këtë temë dhe bisedoi gjithashtu me ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov, qeveria e të cilit e ka quajtur të paligjshëm shpalljen e pavarësisë nga Kosova.

Nënsekretari Burns tha se administrata e Presidentit Bush i hapi rrugë Rusisë duke e vonuar njohjen e Kosovës për të lejuar bisedime të mëtejshme mes Serbisë dhe kosovarëve, bisedime që u bashkëkryesuan nga Moska, Shtetet e Bashkuara, dhe Bashkimi Europian, e ashtuquajtura Treshe diplomatike.

Ai tha se kur bisedimet dështuan nga fundi i vitit të kaluar, erdhi koha për të ecur përpara me njohjen. Megjithatë zoti Burns tha se nuk pret ndonjë përplasje thelbësore me Moskën që do të dëmtonte fushat e tjera të bashkëpunimit amerikano-rus. "Kur një vend thotë se kjo njohje ishte një tronditje apo një hap jo i drejtë politikisht apo ligjërisht, ne nuk jemi aspak dakord me këtë pikpamje. Pra, unë nuk pres ndonjë farë krize me Rusinë për këtë çështje. Ne presim që rusët të mbështesin qendrueshmërinë në rajon. Dhe mendoj se të gjithë ne do të kërkojmë që njerëzit të ruajnë qetësinë dhe që autoritetet kosovare të lejohen të vendosin qeverisjen e tyre e të ecin përpara."

Zoti Burns theksoi se forca e NATO-s prej 17,000 vetësh në Kosovë, e cila përfshin 1,600 trupa amerikane, do të mbetet atje për një kohë të pacaktuar së bashku me policinë e Bashkimit Europian për të garantuar sigurinë dhe për të mbrojtur interesat e serbëve etnikë.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët europianë po planifikojnë një konferencë donatorësh për Kosovën në muajt e ardhshëm në mënyrë që të mbështesin qeverinë e re të pavarur. Kosova, tha ai, mund të marrë 335 milion dollarë ndihmë amerikane për vitin 2008, një rritje prej katër herësh në krahasim me vitin e kaluar. //ii

XS
SM
MD
LG